Ministria e Financave kërkon para nga buxheti për ta përfunduar hekurudhën Manastir – Kremenicë, që duhej të ndërtohej me IPA mjetet evropiane, mëson Alsat-M. Institucionet nuk japin përgjigje nëse kërkohen para nga buxheti për shkak se janë ndaluar mjetet evropiane, pasi u paraqit problem me konsorciumin bullgar i cili po e ndërtonte këtë hekurudhë. Megjithatë, Ministria e Financave me shkrim e ka informuar Qeverinë:

“Nëse projekti vazhdon të realizohet me kontraktor të ri në vitin 2018, mjetet e tjera që mbeten për pagesë duhet të parashihen në Buxhetin e RM-së deri në përfundimin e tërësishëm të projektit”.

Për ndërtimin e hekurudhës ishin ndarë 20 miliona euro nga IPA fondet. Ai duhej të ishte gati që në muajin korrik. Deri tani janë përfunduar vetëm 25% të punimeve. Sipas informatave të Alsat-M, për pjesën e ndërtuar, konsorciumit bullgar i janë paguar pesë miliona euro. Por, ky konsorcium ka borxh te kompanitë vendore të cilat i angazhoi të punojnë si nënkontraktorë. Ata paralajmëruan padi, ndërsa Qeveria u deklarua si jo-kompetente për kontestin midis kompanive vendase dhe konsorciumit bullgar. Edhe pse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e ka informuar Qeverinë më herët se ka vonesa të shumta në realizimin e projektit, leje nga Komisioni Evropian për prishjen e kontratës me bullgarët është kërkuar në mes të shtatorit.

Konsorciumit bullgar i është dërguar shkresë se kontrata prishet, ndërsa sipas informatave të Alsat-M, ka filluar edhe procedurë për aktivizimin e garancisë bankare në vlerë prej 1 milion eurosh. Gjithashtu, kërkohet edhe një milion euro si kërkesë për dëmshpërblim.
Por, nga konsorciumi bullgar janë përgjigjur se nuk pajtohen me prishjen e njëanshme të kontratës dhe se nëse nuk tërhiqet vendimi, do të shkohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Si do të mbarojë ky kontest tani për tani është e pasigurt, por është e qartë se hekurudha nuk do të ndërtohet as vitin e ardhshëm. Sipas informatave të deritanishme, Qeveria planifikon ta publikojë tenderin për kontraktor të ri në muajin prill të vitit të ardhshëm.