Hetimet për “Shkupi 2014”, janë sekrete tha prokurori italian që vizitoi Maqedoninë

 Federiko Kafeiro De Raho,  prokuror publik për ndjekje të mafisë dhe terrorizmit në Itali. Foto: Alsat

Federiko Kafeiro De Raho,  prokuror publik për ndjekje të mafisë dhe terrorizmit sot ka qenë i pranishëm në Maqedoni, por nuk ka zbuluar nëse Prokuroria e tij bashkëpunon për hetime me kolegët e tij maqedonas për rastin “Shkupi 2014”, njofton Alsat.

Ai në pyetje të gazetarëve se a kanë  bashkëpunim me kolegët maqedonas, sepse kompania italiane ka punuar shumicën e skulpturave për projektin tha se të gjitha hetimet janë sekrete, deri në momentin kur do të kërkohet paraburgim apo konfiskim të pasurisë.

“Nëse shpalosi detaje, unë do të bëj vepër penale”, tha Kafeiro De Raho.

Delegacioni italian ka qenë pjesëmarrës në konferencën “Bashkëpunim i përbashkët dhe ndihmë juridike në luftën kundër krimit të organizuar transnacional” që u mbajt në Prokurorinë Publike.

Para thuajse dy viteve, në kuadër të Ministrisë së Kulturës u krijua Komision për analiza të projektit kontrovers Shkupi 2014.
Ministri i atëhershëm i Kulturës, Asaf Ademi deklaroi para një viti se grupi i punës, punon pa ndërprerë dhe konkluzionet i dorëzon deri te Qeveria, e cila do të vendosë për veprim të mëtutjeshëm. Bashkëpunojnë tha, edhe me Prokurorinë Speciale Publike për procedurat që i kanë hapur. Nga kjo inciativë ende nuk ka asgjë konkrete.

SHPËRNDAJE