Shkruan Latif Arifi

Mundësia e arritjes së një koalicioni parazgjedhor ndërmjet Aleancës, Besës dhe Alternativës edhe pse duket si një mision i pamundur, ai nuk është i tillë, sepse ka akoma shpresë se një koalicion i tillë edhe mund të ndodh para mbajtjes së zgjedhjeve të paralajmëruara për 12 prill të vitit të ardhshëm.

Partitë politike, tashmë ka kohë që kanë nisur diskutimet dhe shqyrtimin e mundësive për koalicione të mundshme dhe thuajse tek të gjitha partitë ekziston bindja, duke iu referuar edhe praktikave të deritashme, që kanë treguar se asnjë nga partitë politike opozitare në vend, nuk kanë arritur që si të vetme të fitojnë BDI-në.

Megjithëse, që nga viti 2011 nëse i marrim dhe analizojmë rezultatet e të gjitha cikleve zgjedhore, lehtësisht mund të konstatojmë se partitë opozitare shqiptare sikur të ishin bashkuar që nga atëherë, sot tregimi për ”BDI-në e pamposhtur” sigurisht se që moti, do të ishte i harruar.

Rasti i fundit ishin zgjedhjet e vitit 2016, ku për shkak të mosgjetjes së gjuhës së përbashkët ndërmjet partive të atëhershme opozitare, sot banda kriminale e BDI-së, vazhdon të jetë në pushtet dhe të thirret në legjitimitetin e shqiptarëve, legjitimitet të cilin ka kohë që e ka humbur.

Nëse në zgjedhjet e fundit, si fajtorë kryesorë ishin individ në hije të lëvizjes Besa, të cilët një kohë të gjatë terrorizuan shqiptarët me temën e bashkëpunimit opozitarë duke shpikur lloj lloj këshillash opozitarë, mbipartiak e ndërpartiak, me të vetmin qëllim që të mbajnë gjallë shpresën e shqiptarëve se në një moment ky bashkëpunim do të ndodh, e i cili nuk ndodhi kurrë, vetëm se u kthye në zhgënjim duke i dërguar rreth 70 mijë vota të shqiptarëve në thesin e partive maqedonase.

Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja kush janë fajtorët që edhe sot vazhdojnë të sillen njëjtë sikur në vitin 2016?

Fatkeqësisht nga ajo që dëgjojmë dhe shohim për çdo ditë, duket sikur janë të njëjtit njerëz në hije, ashtu si atëherë, njëjtë edhe sot vazhdojnë të jenë pengesa e mosarritjes së këtij bashkëpunimi të shumëkërkuar dhe shumëpritur te shqiptarët.

Nëse thirja publike e Ziadin Selës që u provokua nga një pyetje e gazetarit në një emision televiziv të drejtpërdrejtë u cilësua nga opinioni si shumë e arsyeshme, pasi për vetë faktin se është pikërisht Sela dhe partia e tij që edhe e ka barrën kryesore, për të sjellur ndryshimin te shqiptarët në Maqedoni. Për më tepër është edhe partia opozitare që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e fundit lokale, pa mos llogaritur këtu turbulencat që ndodhën në lëvizjen Besa, tashmë të ndarë përgjysëm.

Sigurisht se kjo thirrje duhej pranuar si e sinqertë edhe nga krerët aktual të Lëvizjes Besa, përfshirë edhe atë që ri në hije, te kjo lëvizje e që me ”prepotencën” e tij e dëmton jo vetëm bashkëpunimin, por edhe vetë Lëvizjen Besa, duke e çuar në rrugën e Demokracisë së Re, tashmë të harruar.

Patjetër se duhet përshëndetur këtu qëndrimin shumë parimor të prof. Fadil Zendelit- deputetit të kësaj partie i cili mirpriti ftesën publike të Selës, duke shtuar se kjo thirrje ishte edhe në koherencë të plotë me qëndrimet dhe qëllimet e lëvizjes Besa.

Andaj ky duhet të jetë vizion dhe synim edhe i krejt strukturave udhëheqëse të Lëvizjes Besa përfshirë edhe anëtarësinë dhe simpatizantët e tyre, të cilët duhet të ndërpresin ti fryjnë përçarrjes dhe të pajtohen me realitetin se Lëvizja Besa nuk është ajo që ishte dikur – e bashkuar, por thjesht është gjysma e saj, e që bashkë me gjysmën tjetër ta bëjnë një të tërë, e ku përfundimisht bashkë edhe me Aleancën do ti ndihmojnë edhe BDI-së, që tashmë është plakur, që për katër ose tëtë vitet e ardhshme në opozitë të pastrojnë rradhët e tyre e të çlirohen nga Sadulla Durakat, Nevzat Bejtat e Musa Xhaferat e shumtë duke ua liruar rrugën të rinjëve të BDI-së që edhe ata ta shijojnë demokracinë!