Tensioni i lartë i gjakut është një nga pesë shkaqet kryesore të vdekjeve. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm brenda vitit 2021 në Maqedoni kanë ndërruar jetë 2530 persona si pasojë e komplikimeve nga hipertensioni. Sipas OBSH-së ky numër është rreth trefish më i lartë krahasuar me vitin 2020, ku si pasojë e tensionit të lartë të gjakut humbën jetën 627 persona. Bazuar në të dhënat zyrtare hipertensioni është shkaktari numër një që çon deri te sëmundjet e zemrës, sulmi në tru si dhe vdekjet e hershme. Mjekët thonë se detektimi i kësaj sëmundje mund të bëhet përmes kontrolleve të rregullta tek mjeku amë.

“Simptomat më të shpeshta që hasen tek pacientët janë kokëdhembja, plogështia, marramendja, ushtima në vesh dhe pengesat në të pamurit që shfaqen në një fazë më të avancuar të hipertensionit. Çdo i katërti mashkull dhe çdo e pesta grua vuan nga hipertensioni . Edhe në vendin tonë kemi përqindjen e tillë me çka 48% e pacientëve nuk janë të vetëdijshëm se janë të prekur nga kjo sëmundje ndërsa 21% nga pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike janë të detektuar, diagnostikuar dhe marrin trajtim për këtë sëmundje”, tha Besir Murtezani, mjek.

Të larta janë të dhënat edhe në përmasa botërore.

“ 1,28 milion njerëz të moshës nga 30-79 vjet në botë janë me tension të lartë të gjakut. 46% nga pacientët me hipertension nuk janë të vetëdijshëm se janë të prekur nga kjo sëmundje ndërkaq vetëm 42% e mbajnë sëmundjen nën kontroll”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetit, 75% e personave të prekur me hipertension jetojnë në shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme. Ndërsa kjo sëmundje fillon të paraqitet mbi moshën 30 vjeçare. Hipertensioni mund të parandalohet përmes zakoneve të shëndetshme, si aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme, reduktim i duhanit dhe alkoolit si dhe konsumimi i kripës në nivel sa më të ulët. /Alsat.mk