Këshilli Atlantik do t`i bëjë bashkë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në samitin për partneritetin e Ballkanit Perëndimor.

Takimi siç bëhet e ditur në faqen e këtij këshilli mbahet të mërkurën (29.07.2020) në formë virtuale.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ai i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij nga Maqedonia Veriore, Stevo Pendarovski do të jenë pjesë e këtij takimi.

Bosnja dhe Hercegovina përfaqësohet në këtë ngjarje nga kryetari i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, kurse Mali i Zi nga ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekulic.

Bëhet e ditur se drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, transmeton Klan Kosova.

“Ndikimet e pritshme ekonomike dhe sociale të pandemisë COVID-19 në Ballkan kërkojnë veprime urgjente rajonale për të shmangur ngecjen ekonomike dhe paqëndrueshmërinë e mundshme që vjen me të”.
” Kjo marrëveshje do të tregojë përkushtimin e udhëheqësve për të nxitur rritjen ekonomike duke ndjekur lëvizjen e lirë të mallrave, personave dhe shërbimeve përtej kufijve të rajonit. Masa gjithashtu do të vërë në lëvizje një plan të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përshpejtimin e vendosjes efektive të fondeve të rimëkëmbjes nga COVID-19″.

“Duke u mbështetur në përpjekjet e saj dhe rrjetet e gjera në Evropën Juglindore, Këshilli Atlantik mbledh këtë samit të Partneritetit të Ballkanit Perëndimor për të lehtësuar dhe promovuar hapa konkretë midis liderëve drejt integrimit ekonomik rajonal që mund të stimulojnë rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19, të forcojnë rajonin, konkurrencën dhe forcojë atraktivitetin e saj për investitorët”.

”Masat e prekshme të dakorduara në Samitin – të lidhura dhe të përfshira në nismat dhe dialogët ekzistues rajonal – do të dërgojnë një mesazh të rëndësishëm politik për të ardhmen euroatlantike të Ballkanit Perëndimor në një kohë të pasigurisë”, thuhet në njoftimin e këtij këshilli.

Këshilli Atlantik është një qendër e politikës së jashtme me bazë në Washington.