Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se masat e reja anti-COVID duhet të respektohen të gjithë, pa përjashtim.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Hoti u shpreh se mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës dhe se nuk duhet vështirësuar puna atyre.

“Nga sonte janë në fuqi masat e reja për secilën komunë bazuar numrit e të infektuarve në shtatë ditët e fundit. Masat duhet zbatuar nga të gjithë, pa përjashtim. Pa ndihmën e juaj nuk mund të arrijmë sukses.

Mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës. Mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën.

Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia”, shkroi Hoti.

Masat, sipas vendimit të qeverisë, do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.