Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është shënuar progres në kuadër të dialogut.

Hoti përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçic tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai theksoi se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.

“Bisedimet do të vazhdojnë në nivelin teknik të mërkurën”, ka thënë Vuçiq, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më herët se, pas takimit, do të ketë një prononcim të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.