Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit, Enver Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë Hoti për marrëveshjen ekonomike të arritur me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.

Hoxha në emisionin “Përballje”, në Telegrafi ka thënë se nga marrëveshja ekonomike është hequr pika e cila parashihte zotimin për njohjen reciproke.

Sipas Hoxhës, ky vlerësim nuk është vetëm i PDK-së por edhe i qytetarëve.

“Ne kemi qenë shumë konkret sa i përket takimit në Washington, ne mendojmë se në atë marrëveshje ka qenë një element kyç, e cila ka paraparë një zotim për njohje të ndërsjellët. Këtë zotim, Qeveria e Kosovës e ka refuzuar dhe nuk ka insistuar. Së dyti, unë në Kuvend e kam ngritur temën më pragmatike, kryeministri le të tregon se cili është drafti i parë i marrëveshjes së arritur në Washington. Cili është drafti i parë, cilat pika i ka shtuar Kosova, cilat pika i ka hequr, çfarë ka ndryshuar në tekst.

Mendoj që marrëveshja është më shumë tekst i prodhuar nga Amerika, dhe sa herë Amerika ka qenë në krahë të Kosovës, Kosova ka fituar. Prandaj, këta nuk duhet të pretendojnë se marrëveshja në Washington është sukses i tyre. Sukses i kësaj qeverie në marrëveshje është minishengeni, të cilën e kanë quajtur Jugosllavia e tretë, së dyti është Ujmani, dhe se treti është njohja nga Izraeli”, theksoi ai.

Gjatë intervistës , Hoxhaj ritheksoi që nuk janë kundër dialogut por kundër qasjes së Qeverisë, që marrëveshja është rezultat i saj.

“Ne nuk jemi kundër dialogut, ne nuk jemi kundër marrëveshjes në Washington, por Qeveria nuk do të duhej ta prezantojë si rezultat të saj, sepse nuk ka negociuar askush”.

Duke folur për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, Hoxhaj thotë se ata do të hynë në Qeveri vetëm kur të fitojnë zgjedhjet.

“Vendimin e kemi marrë vitin e kaluar, ka qenë vullnet i qytetarëve që ne të shkojmë në opozitë. E kemi marrë mesazhin qartë, dhe PDK hynë në qeveri vetëm atëherë kur ne fitojmë zgjedhjet dhe udhëheqim qeverinë. Qëndrimi ynë mbetet ai që ka qenë. Por, nëse ka tema shtetërore, ne kemi një lloj bashkëpunimi, ne e kemi idenë se si të jemi në shërbim të qytetarëve”.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së, që tashmë kanë hequr vijat e kuqe për PDK-në, Hoxhaj pohon se ishte PDK ajo që për shumë vite ka vendosur se kush duhet të jetë në pushtet.

“Historia e vijave te kuqe, është që PDK prej vitit 2007 ka qenë në pushtet deri në vitin 2019, dhe ne kemi vendosur se kë e marrim dhe kë e lëmë jashtë Qeverisë. Për PDK-në, është e shëndoshë të mbetet ne opozitë, dhe të reflektojë. Ne e dimë që vijat e kuqe janë vetëm ato që i vendosin qytetarët”, theksoi ai.

Hoxhaj gjatë intervistës po ashtu ka kritikuar ashpër Qeverinë Hoti për punën e bërë për 100 ditëshin, duke thënë se ka filluar lodhshëm dhe se ashtu po vazhdon.