Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj thotë se Serbia nuk dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por që në “stilin rus” të dominojë në Evropën Juglindore.
 

“Serbia në stilin rus tenton që të krijojë sferën e ndikimit në rajon, duke demonstruar rolin e saj dhe forcën në Bosnjë përmes Republikës Serbe, në Kosovë përmes popullsisë në veri, në Mal të Zi, por edhe në Maqedoni dhe duke nxitur tensione të vazhdueshme me Kroacinë”, ka thënë Hoxhaj për agjencinë shtetërore kroate të lajmeve.

Hoxhaj ka vlerësuar se serbët nuk dëshirojnë të përafrohen me BE-në, e cila për shkak të problemeve të brendshme as vet nuk është e gatshme për zgjerim, transmeton lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se nuk beson se do të ketë luftë të re në Ballkan, pas konflikteve të përgjakshme të viteve të 90-ta, të cilët përfunduan me intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

“Nuk mendoj se do të mund të shpërthejë ndonjë konflikt i gjerë apo luftë, por në vepër është lufta informative të cilën Beogradi po e zhvillon në stilin rus”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas HINA (agjencia kroate e lajmeve), Kosova pret që normalizimi i marrëdhënieve më Serbinë mund të rezultojë me njohjen e Kosovës, të cilën deri me tash e kanë njohur 130 shtete.

“Të gjitha vendet e dinë, edhe Beogradi e dinë, se në fund të procesit duhet ta njoh Kosovën. Ky është qëllimi i dialogut, pa këtë i gjithë dialogu është i pakuptimtë”, ka thënë Hoxhaj.