Qeveria mori hua 31.7 milion euro te kreditorët e brendshëm. Kjo është pothuajse 16 milionë euro më shumë se shuma që duhet kthyer nga Ministria e Financave të mërkurën, si borxhe të vjetra. Tani për tani nuk ka informacione nga Ministria për çfarë do të përdoren paratë e mbetura nga huamarrja. Një pjesë e ekonomistëve paralajmërojnë se ky ritëm i huamarrjes do të ketë pasoja për ekonominë, e cila mund të vijë në situatë të mos mund ti paguajë kreditë.

Këto huamarrje janë jofunksionale dhe analizat e mëparshme tregojnë se rritja e huamarrjes nuk e ndjek rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo do të thotë se këto huamarrje nuk janë në funksion të ekonomisë, nuk janë në funksion që të mund të gjenerojnë prodhime dhe shërbime të cilat më vonë do mund ti kthejnë ato huamarrje, por janë në një funksion tjetër, që është i natyrës jo-ekonomike – u shpreh Venko Gligorov, ekonomist.

Në gjysmën e parë të këtij viti, Ministria e Financave ka planifikuar 18 ankande të letrave shtetërore me vlerë. Edhe këtë vit është planifikuar Eurobond i ri. Sipas të dhënave të Financave, borxhi i përgjithshëm publik është 4.76 miliardë euro ose 50.6 për qind e Prodhimit Bruto Vendor. Kjo do të thotë se shteti praktikisht e ka futur në borxh çdo qytetar, për 2.380 euro.

Plani i Strategjisë fiskale të Ministrisë së Financave tregon se qeveria në tre vitet e ardhshme duhet të kthejë borxh prej rreth një miliard euro. Në të njëjtën kohë ka në plan të marrë hua edhe 1.7 miliardë euro. Kështu në vitin 2019 borxhi publik do të rritet në 56 për qind të PBV-së. Përndryshe pikërisht lartësia e huamarrjes është shkaku i një sërë përplasjesh kohën e fundit mes qeverisë dhe opozitës./Alsat-M