Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, ka thënë se shpejti pritet të ndërtohet çerdhja e parë dhe shkolla e mesme në këtë komunë.
“Në këtë mandat me ekipin tim dëshirojmë edhe më shumë të përqendrohemi në projekte të reja, siç janë ndërtimi i kopshteve pasi që në komunën tonë nuk kemi kopsht. Gjithashtu e përfunduam të gjithë dokumentacionin e projektit për ndërtimin e objektit për shkollën e parë të mesme në komunën e Studeniçanit. Për momentin kemi dorëzuar kërkesë për financimin e këtij projekti në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si edhe në disa agjenci të huaja të cilat janë të pranishme në Maqedoni. Shpresojmë se do të marrim përgjigje pozitive me çka do të zgjidhej një projekt i rëndësishëm për komunën tonë. Kemi projekte për infrastrukturën edhe atë rrugore, për kanalizimin dhe rrjetin e ujësjellësit me të cilat aplikojmë në të gjitha thirrjet e hapura për grante në shpalljet e Bankës Botërore si edhe donatorë të tjerë”, theksoi Sadiki.