Luis Suarez e ka filluar mbarë aventurën e tij te Atletico Madridi, pasi ka arritur të asistojë dhe shënojë dy gola në fitoren e thellë 6-1 ndaj Granadas.

Sulmuesi uruguaian  u largua nga Barcelona para pak ditësh, për t’iu bashkuar Rojiblancos në shumën e pesë milionë eurove.

Por, Suarezi arriti t’i dëshmonte skuadrës katalunase se ishin gabim që larguan atë, shkaku që iu deshën vetëm 20 minuta për t’i treguar cilësitë e tij te skuadra e re.

Lojtari u inkuadrua në minutën e 70 në lojë në vend të Diego Costas.

Pas vetëm tre minutash lojë, Suarez asistoi në golin e realizuar në minutën e 73-të nga Marcos Llorente.

Sulmuesi nuk u ndal me kaq dhe arriti të shënonte golin e tij të parë në fanellën e Atletico Madridit në minutën e 85-të.

Uruguaiani arriti të shënonte edhe golin e dytë personal në ndeshjen në minutën e 90+4, për të filluar mbarë aventurën e tij te skuadra që drejtohet nga Diego Simeone.

 

Me gjasë Ronald Koeman do të pendohet me largimin e Suarezit, që është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës.