Disa mjekë vietnamez kanë larguar një palë gërshërë nga një burrë, të cilat kishin qëndruar në abdomenin e tij për 18 vite, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Kirurgët specialist kanë udhëtuar nga Hanoi për të asistuar në operacionin i cili u realizua në provincën Nguyen në veri të vendit.

Pacienti 54 vjeçar kishte shkuar në spital pas një aksidenti me makinë që i kishte ndodhur muajin e kaluar, dhe ultrazëri kishte treguar që kishte një instrument të fortë në stomakun e tij. Një kontrollë e dytë i hoqi të gjitha dyshimet dhe u vërtetua që në stomakun e tij ishin një palë gërshërë kirurgjike me gjatësi 15 cm.

Është thënë që këto gërshëre janë lënë pas një operacioni të cilin pacienti e kishte pasur në vitin 1998 në Spitalin Gjeneral Bac Kan, pas një tjetër aksidenti me makinë.

Ai nuk kishte vërejtur asgjë gjatë tërë kësaj kohe përveç disa dhimbjeve të stomakut kohëve të fundit, të cilat nuk ishin qetësuar pas ilaçeve.

Mjekët pas operacionit, i cili ka zgjatur tre orë, kanë vërejtur që gërshërët e ndryshkura kishin ngecur në disa organe të pacientit.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Spitali Gjeneral Bac Kan që të tregoj se kush kishte mundur t’i lërë gërshërët mbrapa gjatë operacionit,  deri në fund të kësaj jave.

Nga spitali kanë thënë që do të shikojnë rreth kësaj, megjithatë kanë deklaruar që rrallë herë i mbajnë të dhënat e pacientëve më shumë se 15 vite.