Nëse Komuna e Gazi Babës nuk pranon kërkesën e 11 prindërve shqiptarë që deri sa të përfundojë ndërtimi i shkollës së re në Idrizovë, fëmijët e tyre klasën e 6- të ta fillojnë në shkollën “ Njegosh”, atëherë ata do të nisin grevë urie. Prindërit thirren në vendimin e Qeverisë së Maqedonisë, ku thuhet se fëmijët duhet të vazhdojnë mësimin në shkollën që duan dhe bazuar në këtë prindërit nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje tjetër të përkohshme përveç shkollës “Njegosh”.

Ne prindërit e Idrizovës veçmë jemi lodh. Ne nuk kemi tentativ tjetër. Ne sot po bëjmë kërkesë deri tëk Kuvendi, Qeveria dhe zyrat e OSBE, ku kërkojmë që fëmijët tanë të mësojnë në shkollën “ Njegosh” në Jurumler. Nëse nuk na realizohet, do të ngrihemi në grevë urie bashkë me fëmijët”-tha Rizvan Seferi, prind.

Por qëndrimi i komunës dhe i drejtorisë është se në objektin e shkollës “ Njegosh”, në Jurumler, nuk ka hapësira të mjaftueshme. Megjithatë, Alsat mëson nga burime të sigurtë se gjatë pasdites një pjesë e shkollës është bosh. Kërkuam qëndrim nga Ministria e Arsimit, nëse kjo e fundit do të kërkojë nga Inspektorati i Arsimit, që të inspektojë nëse objekti është i zbrazët ose jo gjatë pasdites. Megjithatë deri tani nga ky dikaster nuk kemi përgjigje./Alsat