E akuzuara për shtytje në terrorizëm, Ikballe Berisha-Huduti, në seancën e së premtes, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është deklaruar e pafajshme.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po e akuzon se kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj autoriteteve amerikane të cilët kishin realizuar një sulm në Irak, ku kishte mbetur i vrarë gjenerali dhe udhëheqësi i gardës revolucionare të Iranit, Qassem Solejmani.

Për këto veprime, Berisha po ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special Afrim Shefkiu, e akuzuara ka deklaruar se e kupton aktakuzën dhe se nuk e ndien veten fajtore.

“E kam kuptuar aktakuzën, ndihem e pafajshme”, ka deklaruar e akuzuara.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama e njoftoi të akuzuarën se brenda afatit prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqes kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Shqyrtimi i dytë pritet të mbahet me 3 dhjetor 2020, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, e akuzuara Ikballe Berisha me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”, raporton Betimi për Drejtësi.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.PSRK-ja të akuzuarën Berisha po e ngarkon me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.