Qeveria e re të formohet sa më parë dhe të punojë për kthimin e besimit të qytetarëve te institucionet. Sipas ish politikanit, Imer Selmani partitë shqiptare duhet t’i shmangin imtësirat dhe bashkë me LSDM-në të krijojnë një qeveri të fuqishme, kundrejt opozitës poashtu të fuqishme.

“Do të ishte shumë e preferueshme që deri në fund të javës së ardhshme të kemi propozim para deputetëve për miratim të qeverisë dhe para mbarimit të muajit ministrat të ulen të marrin në duart e veta dhe të fillojmë t’i shohim frytet e qeverisjes së re. Më e dobishmja për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për shqiptarët në veçanti është që të tre partitë politike shqiptare të jenë në qeverinë e ardhshme. Do të kenë një shumicë të mirë me 67 deputetë, nuk do të jenë ngushtë vetëm me 62 për arsye se do të kenë një opozitë të fuqishme me numër të madh të deputetëve që është VMRO DPMNE-ja me 51 deputetë, duhet llogaritur se betejë e madhe do të bëhet në Parlament”, deklaroi për Alsat-M, Imer Selmani, ish politikan.