Në Gjykatën Themelore Shkupi 1, dje pasdite ka ndodhur zënkë verbale e cila më pas ka kaluar në fizike mes dy të punësuarve, njofton Portalb.

Nga Gjykata deklarojnë se në hapësirat e Gjykatës Penale, i punësuar si udhëheqës në departamentin për resurse njerëzore me iniciale G.S. fizikisht e ka sulmuar zëdhënësen P.K. në prani të gjykatësit nga departamenti për procedurë paraprake. Udhëheqësi G.S. fillimisht verbalisht e ka kërcënuar P.K. duke e rrezikuar sigurinë e jetës, ndërkaq më pas ka përdorur forcë fizike, gjegjësisht e ka rrëzuar nga karrigia dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

E sulmuara, menjëherë e ka lajmëruar ngjarjen në MPB dhe policia menjëherë ka reaguar. Rasti është dokumentuar dhe është marrë nga inspektorët për krime të dhunshme të MPB-së, ndërkaq kundër sulmuesit nga ana e sulmueses është paraqitur padi penale për “Rrezikimin e sigurisë”, e cila më tej duhet të procesuohet nga organet kompetente.

Në lidhje me ngjarjen nga ana e administratës gjyqësore do të ndërmerren të gjitha masat.

Nga Gjykata i hedhin poshtë shkrimet nëpër media se ngjarja ka pasur lidhje me kryetarin e Gjykatës, Vlladimir Pançevski. Një pjesë e mediave publikuan se incidenti ka ardhur pasi që e punësuara në Gjykatë, e afërt me Pançevskin, ka kërkuar që të mos sulmohet dhe shpifet për kryetarin e Gjykatës, kundër së cilës ka reaguar kolegu, i cili më pas e ka sulmuar atë, transmeton Portalb.

Më parë, 15 gjykatës të Gjykatës Penale u ngritën kundër kryetarit Pançevski. Dërguan letër deri te Këshilli Gjyqësor, me të cilën reagonin se kryetari në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës lëshon kumtesa dhe informon për veprimet e tij personale për gjykatës të caktuar, duke mos e respektuar integritetin e tij si gjykatës.

Sipas informatave, letra është nënshkruar nga disa gjykatës të cilët deri para disa muajve kanë punuar në lëndë penale, ndërkaq me renditjen e re të cilën e ka bërë kryetari Pançevski, ata  janë transferuar në lëndë kundërvajtëse dhe punojnë në departamentin për kundërvajtje, në barakat e parkut të qytetit. Disa nënshkrues tjerë, janë ende në Gjykatën Penale, por i kanë prishur marrëdhëniet me kryetarin e Gjykatës. Në listën e nënshkruesve janë edhe gjykatësit, të cilët në disa lëndë të Prokurorisë Speciale i nënshkruajtën urdhrat të cilat i ka kërkuar PSP-ja.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhoski, konfirmoi se në Këshill ka arritur letra, por po e trajtojnë si anonime pasi që nuk ka emra dhe mbiemra të plotë, por vetëm nënshkrime, dhe se në mënyrën e duhur do të veprohet për t’u zbuluar se për çfarë bëhet fjalë. /Portalb