Në Kumanovë sot situata ishte e qetë pas incidentit të një ditë më parë kur një grup qytetarësh protestoi kundër vizitës së kreut të BDI-së në këtë qytet. Familjarët e komandant Shqiponjës, por edhe banorët të tjerë, thonë se anashkalimi i Kumanovës, incidentet e njëpasnjëshme, varfërimi e zonës, e probleme tjera janë arsyet që i bëjnë të padëshirueshëm përfaqësuesit këtij subjekti politik. Edhe për analistët politik, ngjarjet e djeshme janë pasojë e dëshpërimit të madh të popullatës andaj edhe vlerësohen si mesazh i qartë për kreun e BDI-së. Kjo e fundit incidentin e vlerësoi si përpjekje të dështuar të grupeve të caktuara politike për provokim të gjendjes.
Një ditë pas incidentit në Kumanovë ku një grup qytetarësh protestuan kundër vizitës së kreut të BDI-së, në këtë qytet, familjarët e Xhemail Rexhepit-komandant Shqiponjës mbeten në qëndrimin se Ali Ahmeti nuk është i mirëpritur në këtë zonë. Ata thonë se mesazhi i tyre ishte i qartë dhe pa asnjë prapavijë politike siç pretendonte BDI-ja në reagimin e saj. Sipas tyre, protesta ishte paralajmëruar që prej kohësh dhe se qytetarët kanë protestuar si pasojë e neglizhencës disa vjeçar që i bëhet Kumanovës nga pushteti lokal dhe ai qendror, e në veçanti pas vrasjes së komandant Shqiponjës.

“BDI duhet ta kuptojë se në Kumanovë ka qenë lufta, ka pasur lloj-lloj probleme dhe tash të vijë dhe të kërkojë vota është e padrejtë”.

“Pak e ka! Unë ta kisha parë do e bëja rezil”.

“Pa punësime ka! Unë kam punuar në spital, më kanë larguar nga puna. Perses intervenimeve janë punësuar të gjithë ndërsa unë sot e kësaj dite jam pa punë”.
Lidhur me ngjarjet në Kumanovë kanë reaguar edhe njohësit e çështjeve politike. Sipas Ibrahim Memetit, politikat e pandryshuara deri më tani po nxjerrin në pah mllefin e elektoratit shqiptar.

“Kemi të bëjmë me një dëshpërim të madh të popullatës shqiptare, por edhe mund të them se shkojmë nga një krizë e identitetit politikë tek partitë shqiptare, sepse votimi për kandidatët e preferuar në zgjedhje del se nuk është ajo që është premtuar apo që është thënë dhe kjo sjell një zhgënjim që sjell deri tek reagimet e ndryshme”, tha Ibrahim Memeti, Analist.
Profesori Bashkim Selmani thotë se qytetarët me reagimet e tyre duhet të ndryshojnë qasjen e partive politike shqiptare ndaj votuesve shqiptar.

“Mund te jetë një mesazh për liderin e BDI-së për shkak se çdo rrethanë që buron nga qytetarët dhe ka tendencë të caktuar duhet të pranohet si një mesazh për ti ndryshuar qasjet ndaj votuesve dhe qytetarëve të republikës së Maqedonisë , për shkak se të gjithë këta revolta të qytetarëve në rast se nuk do t’i trajtojë mirë kjo parti politike atëherë do të merr kahje të tjera siç e shihni edhe rasti i fundit”,deklaroi Bashkim Selmani, Profesor
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, që nga ngjarjet e 10 majit të vitit të kaluar nuk kishte shkuar në Kumanovës. Revolta e qytetarëve të Kumanovës ndaj BDI-së u konfirmua edhe disa ditë pas konfliktit të armatosur në lagje të trimave, ku deputetët e zonës u përzunë nga banorët. Në kumtesën e BDI-së dërguar ditë më parë, menjëherë pas përfundimit të takimit në Kumanovë rastin e cilësoi si një tentativë provokuese të dështuar nga grupe të reja politike.