Regjistrimi i fshehtë që e publikoi ish kryetari i penales, Vladimir Pançevski gjatë bastisjes së ekipit të Prokurorisë Speciale në shtëpinë e tij, paraqet vepër penale për regjistrim të paautorizuar dhe publikim në opinion. Ky është qëndrimi i ish gjykatësit dhe avokatit Jovan Johanidis, i cili shpjegon se çdo pronar i shtëpisë apo pronës ka të drejtë të incizojë për mbrojtje personale, por jo edhe në raste kur bëhet fjalë për ngjarje të procedurës parahetimore, njofton Alsat M.

”Publikimi i këtyre regjistrimeve do të thotë vepër penale. Madje edhe regjistrimi paraqet vepër penale nëse paraprakisht nuk tregohet se në banesën time çdo gjë që bëhet unë e filmoj. Patjetër të ketë pajtueshmëri nga i incizuari se i njëjti pranon të incizohet”, dekalroi Jovan Johanidis, ish gjykatës dhe avokat.

Pançevski derisa dorëzonte materialet nga shtëpia deri te mediat, akuzoi se një hetues i Speciales ia ka vjedhur çelësin e shtëpisë dhe se tani nuk ndjehet i sigurt. Avokati Johanidis, vlerëson se këto pohime ka mundur t’i përdorë në procedurën e ngritur ndaj tij dhe ndaj dy informatikanëve të punësuar në gjykatë.

”Mund të ngritët kallëzim penal ndaj personave të cilët gjatë kryerjes së punës bëjnë vepër penale, ato i jepen prokurorit kompetent apo gjykatës. Tashmë kemi njoftim dhe vendime nga gjykata se regjistrimet janë një prej dëshmive të cilat përmes dëshmive tjera e konfirmojnë besueshmërinë e tyre”, tha Jovan Johanidis, ish gjykatës dhe avokat.

Me bastisjen e prokurorisë Speciale, është konfiskuar kompjuteri zyrtar i Pançevskit, por janë siguruar edhe të dhëna nga sistemi AKMIS, për të cilin nga Specialja njoftuan se ka dyshime se është keqpërdorur gjatë sistemimit të lëndëve tek gjykatësit svarovski. Nëse ka pasur sistem paralel me AKMIS-in, duhet të tregojë raporti i Komisionit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Është paralajmëruar se i njëjti do të publikohet javën e ardhshme. Prokuroria Speciale dyshon se Pançevski dhe dy informaticientë në gjykatë kanë dhënë sekrete zyrtare dhe kanë abuzuar me sistemin duke kurdisur lëndët. /Fol/