Iniciativat qytetare në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, që kanë bërë të ditur se në zgjedhjet lokale do të garojnë me lista të veçanta për këshilltarë në asambletë komunale, kanë kërkuar nga presidenti, Stevo Pendarovski që të mos i nënshkruajë ndryshimet e paralajmëruar në Kodin Zgjedhor.

Këto iniciativa qytetare po kundërshtojnë vendosjen e pragut zgjedhor prej 2 për qind si kusht për t’u futur në garë, pasi thonë, me këtë shkelen parimet demokratike dhe këto ndryshime në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Nga kabineti i presidentit Pendarovski thanë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i presidentit të shtetit është që ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen me një konsensus të gjerë, përfshirë këtu sektorin civil dhe partitë e vogla, dhe jo vetëm përmes një marrëveshjeje midis partive të mëdha që janë në pushtet dhe opozitë.

“Lidhur me propozimin e paralajmëruar rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në bazë të të cilave, grupet që do të garojnë për këshilltarë të pavarur duhet të mbledhin 2 për qind të trupit elektoral në komunë të caktuar, presidenti Pendarovski vlerëson se duhet të parashihet një prag më i ulët, me qëllim që t’u mundësohet pjesëmarrja më e madhe qytetarëve në procesin zgjedhor”, thotë zyra e Pendarovskit.

Reagimet vijnë pas paralajmërimit të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev se në bazë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të gjithë ata që do të futen në garë me lista të pavarura, paraprakisht duhet të mbledhin 2 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në komunë për të pasur të drejtë që të kandidojnë.

“Me vendosjen e pragut minimal prej 2 për qind nga votuesit e regjistruar, që listat e pavarura të kenë të drejtë të kandidohen në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë e mëdha vendosin diktaturë të partizimit dhe okupim brutal të hapësirës publike, që është karakteristikë vetëm për vendet me regjim dhe jo për demokracitë”, thuhet në letrën që shumë organizata joqeveritare i kanë dërguar presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.