Dy ditë më parë Kryeministri Rama ka lëshuar kritika të forta dhe sulme ndaj disa liderëve të Kosovës, duke i vënë në dukje gabimet që po bëjnë sipas tij me stopimin e dialogut me Serbinë, apo kundërshtimin e projektit “Ballkani i Hapur”. Asnjë prej aktorëve kryesorë të politikës në Prishtinë nuk ka reaguar. Kjo heshtje flet për rënie të krediteve të kryeministrit dhe politikave të tij, në Kosovë

Në një shënim të gjatë të publikuar dy ditë më parë në media, Edi Rama ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj udhëheqësve të Kosovës, të cilët sipas tij po bëjnë gabime historike, duke ndaluar dialogun me Serbinë, duke mos u bërë pjesë e nismës Ballkani i Hapur, firmosur prej tij, Vuçiç e Zaev, apo edhe duke mbajtur një qëndrim sfidues ndaj partnerëve strategjikë.

Rama ka pasur parasysh Albin Kurtin, por ka kujtuar edhe rastin e Ramush Haradinajt, të cilin e nxjerr në një dritë përçmuese, pasi sipas shefit të qeverisë tonë, ai humbi rastin të liberalizojë vizat. Këto qëndrime të politikanëve të Kosovës, Rama i quajti marrëzira patriotike. Kryeministri po ashtu, u shpreh i vendosur të vijojë me projektin e Ballkanit të Hapur, duke e quajtur fushatën e tij diplomatike për paqen e bashkëpunimin në rajon.

Mirëpo të bën përshtypje se nga pardje në drekë e deri dje në mbrëmje vonë, asnjë prej udhëheqësve të Prishtinës nuk ka reaguar. Sulmet, qortimet dhe sugjerimet e Ramës duket se janë injoruar. Kjo flet për rënie të krediteve të kryeministrit tonë në Kosovë dhe në politikën e opinionin publik atje.

Ja çfarë shkruante Rama dy ditë më parë
“Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?

E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.

A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?

E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”.

Në shënimin e tij të gjatë Rama është ankuar për komentuesit nga Kosova që e cilësojnë atë tradhtar, duke thënë se i ka falur, madje edhe atë që i frymëzon këto shigjeta ndaj tij. Ndoshta duke nënkuptuar këtu Kurtin. Ka pasur dy reagime që kanë rënë dje në syrin e medias lidhur me deklaratat e shefit të qeverisë. Profesor Blerim Latifi në Prishtinë, dhe Arben Malaj në Tiranë.

“Nuk mund t’i besojmë Vuçiçit njësoj si Rama”
Edi Rama ka përpara një hall tjetër të madh, shkruan Latifi, dhe gabimi i tij është se ka zgjedhur instrumente joefektive për ta trajtuar atë.

“Cili është ky hall i madh? Është fakti se BE e ka stopuar procesin e integrimit të Shqipërisë, duke e lënduar rëndë kështu ëndrrën 30 vjeçare të saj për t’u bërë pjesë e këtij Bashkimi. Në këtë situatë, Rama po përpiqet të bëj diçka alternative, sa për t’ua mbajtur gjallë shpresën shqiptarëve. Dhe këtu qëndron gabimi i tij, sepse shpresa e vetme e shqiptarëve është integrimi europian dhe ajo nuk mund të ushqehet me surrogatet ballkanike të tij. Sfida e pamerituar e “Closed Europe” nuk mund të kapërcehet me ‘Open Balkan”. Aq më pak duke shpresuar në partneritetin e kriptofashistit të Beogradit, Aleksandër Vuçiç”, pohon Latifi.

Ai shton se nuk mund t’u kërkohet kosovarëve ti besojnë Vuçiçit ashtu sikurse Rama i beson.

“Shqipëria dhe Serbia nuk kanë probleme të drejtpërdrejta me njëra tjetrën dhe këtu qëndron shkaku pse Rama është i prirur t’i besojë Vuçiçit, ndërsa performimi i një pevaçi të plakur serb në Korçë i duket krejtësisht normal. Problemi është se ne nuk mund t’i besojmë Vuçiçit, njësoj si Rama, jo vetëm për shkakun e të kaluarës, por, mbase, më shumë edhe për shkakun e të sotmes, kur shteti i Vuçiqit me të gjitha kapacitetet e tij mundohet ta minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Nuk mund të bësh poza normaliteti në një tryezë me njeriun që nuk lë gur pa lëvizur për të të shkatërruar”, shprehet Latifi.

“Sjellja e Ramës grindavece dhe denigruese”
Profesori i njohur Arben Malaj deklaron se sjellja e Ramës ndaj autoriteteve të Prishtinës është grindavece dhe denigruese.

“Denigrimi i çdo udhëheqësi legjitim të Kosovës nga një pjesë e vogël e lidershipit politik dhe mediatik në Shqipëri– është dëmi më i madh që po i bëhet rritjes dhe konsolidimit të Kosovës : (i) si shteti pavarur; dhe (ii) përfaqësimit të saj dinjitoz në çdo iniciativë, tryezë të rrumbullakët dhe vendimmarrje konkrete në projektet rajonale dhe në procesin e integrimit euro-atlantik. Kjo “politikë grindavece e denigruese” nuk ka ndodhur kurrë më parë me të njëjtin negativitet dhe përkushtim, të paktën që nga viti 1991, kur kam ndjekur nga afër marrëdhëniet politike midis udhëheqësve legjitimë të Kosovës dhe udhëheqësve shqiptarë të “Shqipërisë së vogël” për ambiciet e tyre deri globale”, shprehet Malaj.

Malaj vëren se Rama po krijon një precedent dhe një zhvillim negativ që nuk ka ndodhur në raport me Kosovën në këto 30 vite.

“Gjithmonë ka pasur qëndrime preferenciale, krahinore apo partiake, ka pasur gjithmonë qejfmbetje dhe pakënaqësi midis udhëheqësve të dy vendeve. Ka pasur shpesh ngurrim për të bashkëpunuar, por kurrë nuk ka pasur një udhëheqës shqiptar që të angazhohej publikisht për të nënvleftësuar, denigruar, penguar apo spostuar udhëheqësit legjitim të Kosovës, sipas preferencave personale ose të imponuara. Në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura të kombit shqiptar – kjo do të jetë periudha më e errët ku lidershipi shqiptar është përpjekur të pengojë, zvogëlojë, minimizojë përfaqësimin e drejtpërdrejtë dhe vendimmarrës të udhëheqësve legjitim të Kosovës, vetëm për shkak se ata nuk pranojnë një kujdestari nga Lideri Suprem i shqiptarëve, që sipas tij po e pengojnë të bëhet udhëheqës i të gjithë shqiptarëve shqipfolës”, deklaron Arben Malaj