Inspektorët e 7 njësive të Këshillit të Inspektorëve në periudhën nga 28 dhjetori i vitit të kaluar deri më 3 janar të këtij viti kanë kryer gjithsej 5718 kontrolle, ku pjesën më të madhe e ka kryer Inspektorati i Tregut, apo gjithsej 4652 kontrolle në objektet hotelierike dhe restorante për respektimin e masave për mbrojtje nga Covid-19, me çka kanë shqiptuar 35 padi për vepra penale, 24 vendime për konstatim të mosrespektimit të masave, si dhe 16 urdhërpagesat.

Gjatë kësaj jave janë mbyllur 5 lokale për mosrespektim të Ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet infektive edhe atë nga dy lokale në Tetovë dhe Manastir dhe një në Strumicë.

Fotografia pa maska të zyrtarëve të BDI-së, Grashkovska: Ligji vlen për funksionarët

Filipovska Grashkovska po ashtu potencoi se do të kontrollohet nëse janë respektuar protokollet edhe në rastin e festimit të ditëlindjes së kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, në Ministrinë e Sistemit Politik.

“Ashtu siç potencova disa herë me radhë, se të gjithë inspektorët veprojnë pa përjashtim dhe ashtu do të jetë edhe për rastin në fjalë. Inspeksioni do t’i marrë për bazë këto pohime dhe pasi të sillet ndonjë vendim do të informoheni.”,- tha kryetarja e Këshillit të Inspektorëve, Magdalena Filipovska Grashkovska.

Osmani: Pa maska vetëm gjatë fotografimit

Por, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka pohuar se lëshimin në përdorim të objektit të ri të Ministrisë për Sistem Politik nuk ka pasur shkelje, por ka qenë lëshim në postimin e fotografive pa maska.

“Mirë është të bëjmë dallim në mes dhënies së porosisë dhe respektimit të ligjit, këto janë dy momente të ndryshme, tek dhënia e porosisë unë pranova që nuk është mirë të nxirren fotografi pa maska për të shkak mesazhit që i jepet qytetarit, por ama nuk kishte thyerje të ligjit, sepse ishte çështje e momentit. Protokollet janë respektuar brenda dhe ka qenë çështje e momentit i cili nuk ka zgjatur më shumë se 10 sekonda dhe në këtë drejtim mendoj se ka qenë gjithçka në rregull.”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Osmani po ashtu pohoi se menjëherë jashtë momentit të fotografimit të gjithë funksionarët kanë mbajtur maska dhe nuk ka pasur thyerje të ligjit dhe u distancua nga pohimet se në objektin e ri të Ministrisë për Sistem Politik ka pasur festim të ditëlindjes.

Opozita: Edhe zyrtarët të mbajnë përgjegjësi

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe partitë opozitare. Në reagimin e Alternativës thuhet se, siç e pamë, para disa ditëve vetë kryeministri Zaev e ministri i Shëndetësisë, Filipçe, pozuan pa maska dhe pa distancë, ndërsa dje Ali Ahmeti me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, dhe të gjithë ministrat e kësaj partie ishin mbledhur bashkë që të festojnë ditëlindje patetike në kohë pandemie edhe ata pa maska e pa distancë, gjithë kjo në kohën kur qytetarët gjobiten gjithandej për maska, thekson Alternativa.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se keqpërdorim i këtillë i institucioneve nuk është parë deri më tani. (TVM2)