Neser, me 28 Prill 2018 (e Shtune), duke filluar nga ora 12.00, me inisiativen e veprimtarit te çeshtjes kombetare, Mr. Gafurr Adili, te Restorant ROMA ne Kerçove, do te mbahet takimi i intelektualeve kerçovare ne mbeshtetje te MEMORANDUMIT te intelektualeve shqiptare ne IRJM.
Ftohen te gjithe intelektualet kerçovare qe t’i pergjigjen kesaj inisiative patriotike.
Ndryshe, Një grup intelektualësh shqiptarë në Maqedoni kanë nisur të firmosin para disa ditëve një memorandum me shtatë pika, ku mes kërkesave është ndryshimi i Kushtetutës së vendit, thirrja që interesat e shqiptarëve të mos mbahen peng i “stabilitetit dhe paqes” dhe integrimi kombëtar si prioritet edhe para BE-së.
Intelektualët firmëtarë të këtij memorandumi japin fillimisht arsyet që i shtynë për të dalë me këto shtatë kërkesa. Së pari rendisin krizën e thellë dhe të gjithanshme në të cilën ndodhen shqiptarët në Maqedoni, nëpërkëmbjen e vazhdueshme që u bëhet dhe përjashtimi nga vendimarrjet për çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Pika e parë e memorandumit kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’iu përshtatur realitetit të një shoqërie multietnike.
“E konsiderojmë si të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese, si jodetyruese dhe për shqiptarët për vetë faktin se përcakton IRJM si “shtet kombëtar i sllavo-maqedonasve” ku jetojnë edhe bashkësitë e tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët”, thuhet aty.
Intelektualët shqiptarë përjashtojnë çdo formë referendumi nën këtë Kushtetutë.
“E konsiderojmë ndryshimin e kushtetutës dhe rregullimit shtetëror nga ai unitar në federativ, apo konfederativ si të vetmen garanci për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare, ndarja e drejtë e buxhetit, arsimi i mirëfilltë, jetë kulturore të denjë, shtrirja e administratës në shërbim të çdo qytetari shqiptar. E denoncojmë si të pavlerë, abuzues, të rrezikshëm çdo lloj integrimi të shqiptarëve në pushtet pa u bërë ndryshimet e sipërpërmendura”, vijon e parë.
Në pikën e dytë konsiderohet si i domosdoshëm ndryshimi i emrit të Maqedonisë dhe kërkohet përfshirja e faktorit shqiptar në këtë proces.
“Gjykojmë se injorimi i të drejtave të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së emrit është shkelje flagrante e të drejtave të shqiptarëve. Çdo propozimi për emrin nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet duhet t’i paraprijë një diskutimi publik. Çfarëdo emri që miratohet, ai, duhet të përkthehet në gjuhën dhe alfabetin shqip. Konsiderojmë se emri i vendit nuk duhet të ketë shtojca gjeografike dhe sllave. Emri i ardhshëm i IRJM të mos identifikohet me emrin e një etnie. Identiteti etno-centrik i shtetit për shqiptarët ka karakter pushtues. Të mos barazohet identiteti shtetëror me identitetin kombëtar të sllavo-maqedonasve. Shqiptarëve nuk u pengon identiteti i sllavomaqeonasve, por i pengon identifikimi i emrit të shtetit me emrin e etnisë”, vijojnë kërkesat e intelektualëve.
Pika e tretë i drejtohet klasës politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.
“Theksojmë domosdoshmërinë e integrimin e shqiptarëve si komb si prioritar, para çdolloj integrimi tjetër, përfshirë dhe atë të në BE. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën për integrimin e tyre si komb, duke u imponuar integrime të tjera, si zëvendësim, përfshirë këtu edhe BE. BE nuk është garanci për integrimin e shqiptarëve dhe eliminimin e kufijve mes tyre. Asgjë nuk justifikon copëzimin kulturor, arsimor, ekonomik të kombit, gjë që krijon vakuum, i cili me lehtësi plotësohet nga ndikime të huaja, të rrezikshme për identitetin e shqiptarëve në Maqedoni”, thuhet më tej.
Në pikën e katërt të memorandumit qortohen qëndrimet, sipas tyre, në dëm të interesave të shqiptarëve për hir të paqes dhe stabilitetit të rajonit.
“Të qenit faktor i rëndësishëm për rajonin duhet përkthyer në mundësi për avancim në pozitat negociuese, e jo si dobësi”, thonë intelektualët.
Në pikën pesë, memorandumi thotë se axhendat e shqiptarëve nuk mund të mbahen peng nga një grusht politikanësh shqiptarë të korruptuar.
“Përcaktimi i interesave të shqiptarëve, vendosja e objektivave, thurja e strategjive nuk mund të jetë ekskluzivitet i një njeriu ose i një grushti politikanësh të zgjedhur një herë në katër vite, në rrethana të diskutueshme. Ky proces duhet të jetë transparent dhe nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm të grupimeve jopolitike, shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve etj. Prandaj inkurajojmë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në proceset aktuale politike, të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në IRJM e më gjerë”, deklarojnë intelektualët.
Në pikën gjashtë, intelektualët denoncojnë, sipas tyre, shantazhet që u bëhen politikanëve shqiptarë në Shkup me dosjet korruptive, të cilat pala maqedonase i përdor për t’i kontrolluar.
“I bëjmë thirrje kryeministrit sllavo-maqedon që të ndërpresë menjëherë keqpërdorimin e dosjeve kriminale për eksponentët e klasës politike shqiptare të përfshirë në afera korrupsioni dhe kriminaliteti, të cilat i shfrytëzon aktualisht për të kontrolluar forcat politike që përfaqësojnë shqiptarët dhe ato t’i publikojë para opinionit dhe t’ia dorëzojë sistemit të drejtësisë. Vazhdimi i korrupsionit, kriminalitetit, vrasjeve jo vetëm se nxjerrin në dritën e vërtetë klasën politike shqiptare në pushtet dhe jashtë tij, por edhe qasjen dhe qëllimet reale ndaj shqiptarëve të vetë kryeministri sllavo-maqedon”, thuhet në këtë pikë.
Në fund, memorandumi sjell Zvicrën si shembull që duhet të ndjekë Maqedonia.
“Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: shtatë milionë ba¬no¬rë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës. Nga kjo zgjidhje linguistike, Zvicra e vogël asgjë nuk humbet ngaqë nuk ka një gjuhë zyrtare të vetme. E, nga ana tjetër, në Maqedoninë po ashtu të vogël, me 2.2 milionë banorë, ku së paku 1/3 e popullatës janë shqiptarë, ka një ligj vetëm për përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, por nuk ka një ligj që edhe gjuhës shqipe t’i krijonte një status të tillë të barabartë”, deklarojnë intelektualët.
Memorandumi mbyllet më vendosmërinë e intelektualëve shqiptarë për të denoncuar politikat në dëm të shqiptarëve dhe gatishmëria për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes shqiptare në Maqedoni.