Presidenti i ri i zgjedhur amerikan Joseph Biden, ka deklaruar se ende nuk ka biseduar me presidentin aktual Donald Trump.

Gjatë intervistës së tij të parë pasi është zgjedhur president, ka folur për NBC ku ka treguar detaje për procesin e bartjes së pushtetit dhe problemet tjerat me të cilat ai do të ballafaqohet gjatë mandatit, transmeton Telegrafi.

Duke marrë parasysh se administrata e presidentit aktual Donald Trump ka filluar procesin e bartjes së pushtetit, dhe në një mënyrë ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale, Biden ka theksuar se ekipi i tij po mundohet që presidenti i ri të kyçet dhe njoftohet për çfarëdo që ndodh në vend.

“Administrata po fillon përgatitjet e raporteve ditore që do t’i marrë si president. Gjithashtu, po bisedojmë për takimet që do t’i zhvillojmë me ekipin kundër COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, me qëllim që të diskutojmë për kushtet e shpërndarjes së vaksinës e cila do të duhej t’i jepej të gjithëve”, ka shtuar Biden.

Ai ka hedhur poshtë thashethemet se administrata e tij do të sillet ngjashëm me atë të Barack Obamës.

“Jemi përballur me një botë krejt tjetër sesa me atë që është ballafaquar administrata e Obamës. Presidenti Trump ia ka ndërruar plotësisht imazhin shtetit dhe këtë duhet ta ndryshojmë”, ka thënë për fund Biden.