Kjo është intervista e parë e liderit më të fuqishëm politik në Maqedoni, Nikola Gruevski, për një medium shqiptar, në këto 10 vjetët e fundit. Intervista është bërë me shkrim, me kërkesën e tij.

Berat Buzhala & Leonard Kerquki

Zgjedhjet në Maqedoni kanë përfunduar para një muaji, por edhe më tutje nuk ka asnjë marrëveshje për formimin e Qeverisë. Partia më e madhe në vend, VMRO-DPMNE, i ka fituar këto zgjedhje. Kryetari i Partisë, Nikola Gruevski, është mandatuar nga Presidenti i vendit, më nëntë janar, që të fillojë negociatat me partitë tjera në vend për formimin e Qeverisë. Ai e ka bërë një gjë të tillë. Për të gjetur një partner i ka në dispozicion edhe 12 ditë.

Praktikat e deritashme për formimin e qeverive tregojnë se partneriteti lidhet në mes të partisë më të madhe maqedonase dhe asaj shqiptare. Në këtë rast topi është në oborrin e Bashkimit Demokratik për Integrim, të udhëhequr nga Ali Ahmeti. Ky i fundit i është qasur negociatave me partnerin e deridjeshëm, me një kujdes të jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh një stuhi mediatike që po e tremb atë.

Për të mësuar më shumë rreth këtij ngërçi, natyrës së tij, Gazeta Express e ka realizuar një intervistë me shkrim me Nikola Gruevskin, politikanin numër një në Maqedoni. Ai, në kampin maqedonas, është i pakonkurrencë. Është dukshëm më i madh se sa rivali i tij, LSDM. Sigurisht që rreth Gruevskit ka shumë pluhur, për të cilën gjë ai e fajëson multimiliarderin George Soros.

Kjo është hera e parë që Gruevski ka folur për një medium shqiptar në 10 vjetët e fundit.

 

Gazeta Express: Në dy vjetët e fundit keni qenë i sulmuar prej të gjitha anëve, por arritët të fitoni po aq vota sa kishit në zgjedhjet e fundit. A e keni pritur këtë rezultat?

Gruevski: Edhe pse sipas konceptit të tanishëm për moshën, unë jam në moshë të mesme, në skenën politike jam për një kohë goxha të gjatë dhe shumica e qytetarëve kanë pasur shansin të më njohin. Si çdo njeri mund të kem bërë gabime, kam bërë lëshime dhe kam shfaqur dobësi. Vendosa të futem në politikë pas largimit nga sektori bankar. Në 20 vjetët e fundit njerëzit kanë pasur kohë dhe shanse të mjaftueshme për të më parë se si jam unë, të shohin të mirat dhe të këqijat e mia. Ata, po ashtu, e dinë se shumë gjëra kanë ndryshuar në Maqedoni, kanë lëvizur përpara, kanë shënuar progres, gjatë kohës sa isha ministër i Tregtisë, ministër i Financave, udhëheqës i Komisionit për Sigurime, gjatë kohës sa isha në opozitë për 4 vjet në Parlament dhe në të njëjtën kohë këshilltar për një mandate tjetër qeveritar, periudhë ku isha i angazhuar në një projekt të USAID-it dhe natyrisht gjatë kohës kur kam qenë kryeministër dhe president i VMRO-DPMNE-së. Dhe një njeri që ka bërë aq shumë për vendin e tij, i cili ka bërë shumë sakrifica personale, pa pushuar fare, duke sakrifikuar vitet më të mira të jetës, duke e ditur se mund të kishte një jetë më të mirë me më pak punë, një person i cili në 20 vjetët e fundit e ka dëshmuar veten sikur të ishte dita e fundit e zgjedhjeve, dhe si njeri që dobësitë e tij dhe përparësitë i keni parë dhe analizuar, ky operacion, siç e kemi në Maqedoni, mund të shkaktojë pak dëme dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore.

Kam investuar shumë mund në këtë shtet; kam bërë shumë punë për këta qytetarë për disa qendra të fuqishme, e që me aq lehtësi dhe me lojëra të ndyra të më prezantojnë para popullit si diçka që në të vërtetë nuk jam. Dhe ky ka qenë qëllimi i këtij operacioni – për të më paraqitur si person të keq, të pandershëm, të korruptuar, tradhtar, jonjerëzor, një njeri për të cilin njerëzit, siç tha edhe Zaevi, duhet të ndryshojnë mendimin brenda tri ditësh, në mënyrë që ta dënojnë dhe refuzojnë atë. Nuk dua të analizoj nëse jam nënvlerësuar ose jo, vërtet nuk e di, por e di se ata kanë nënvlerësuar njerëzit ose të paktën shumicën. Pas hutisë fillestare dhe kuriozitetit për materialet e krijuara, shumica e njerëzve e kuptuan shpejt se ky ishte një operacion dashakeq i krijuar me të vetmin qëllim: për të më eliminuar mua dhe partinë time politikisht për shkak të përmbushjes së disa qëllimeve madhore. Një mision që në mënyrë të pandershme, një mënyrë e cila mund t’i dëmtojë njerëzit dhe shtetin. Partia ime dhe unë me sa duket kemi qenë pengesë për planet e dikujt dhe unë besoj se ne ende jemi sepse ne i kemi vënë në rend të parë interesat e qytetarëve që jetojnë në Maqedoni, dhe të vetë shtetit, e jo interesat e dikujt tjetër. Besoj se duke marrë parasysh se ne jemi një shtet i vogël, një shtet në zhvillim, i krijuar 25 vjet më parë, disa fuqi të huaja dhe qendra ishin mësuar me disa politikanë të tjerë që gjithmonë ishin në shërbimin e tyre, edhe nëse kjo do të nënkuptonte dëmtim i interesave të atyre që i zgjodhën dhe që kishin sadopak shpresë se këta politikanë do të luftonin për interesin e përbashkët dhe të punonin për përmirësimin e jetës së tyre dhe zgjidhjes së shumë problemeve.

Nuk e kam problem, që si person të cilit i është dhënë besimi nga qytetarët, të bëjë kompromise në politikën ndërkombëtare dhe unë nuk jam nga Marsi pasi e di shumë mirë që secili politikan në pozitën time në të gjitha shtetet bën kompromise të caktuara. Megjithatë, ekzistojnë probleme për të cilat nëse bëni kompromis atëherë dëmtoni interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Dhe në situata të tilla duhesh të vendosësh nëse duhet qëndruar apo duhet lëshuar rrugë. Politika dhe ideologjia ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet një gjemb brenda shumë atyre që kanë plane tjera për Maqedoninë dhe të cilat janë të papranueshme për shumicën e qytetarëve.

Kjo pjesërisht jep përgjigje për arsyet, por, po ashtu, është edhe rezultati i këtij operacioni, i cili ndodhi në Maqedoni. Diferenca në numrin e qytetarëve që mbështesin partinë që unë udhëheq është thuajse inekzistent. Krahasuar me numrin rekord të votave që partia ka fituar më 2014 dhe tash me dy partnerë koalicioni më pak, që në realitet na hoqën rreth 20,000 vota, ne kemi thuaja se të njëjtën mbështetje si më 2014.

Së pari, këto vota të fituara më 2016 tregojnë se patëm një fitore të pastër si kristali dhe nuk u regjistruan parregullsi si më 2014. Së dyti, pas tërë kësaj fushate, këto rezultate u bënë realitet. Pas tërë atyre përpjekjeve, parave të shpenzuara, protestuesve të paguar, përpjekjeve të qeverive të huaja, demonstratave nëpër rrugët në gjithë shtetin, krizës politike që i bëri presion serioz ekonomisë, pas miliona euro të derdhura në media që më diskredituan mua pafundësisht, pa një pikë balance në emetimet e tyre… A e prisja këtë rezultat?

Po, prisja të fitoja, besoja në qytetarët për të cilët kisha luftuar në këtë periudhë. Dhe motivi im më i madh në këtë betejë, ishte besimi dhe mbështetja që ndjeja nga shumica e qytetarëve. Më vjen keq se në mesin e atyre njerëzve, një pjesë e vogël e qytetarëve, ia arritën atë që deshën, së paku për momentin, duke shpërndarë propagandë, sidomos te shqiptarët e Maqedonisë, por ky është një rrëfim tjetër.

Gazeta Express: Ju u mandatuat nga Presidenti George Ivanov për krijimin e qeverisë më 9 janar dhe tani keni 20 ditë në dispozicion për ta bërë këtë. A i keni filluar bisedat me partitë politike për të formuar qeverinë?

Gruevski: Bisedimet për themelimin e qeverisë së re kanë filluar këto ditë. Javën e shkuar partia ime dhe unë pamë që disa parti tjera, duke pasur parasysh situatën komplekse, ishin fokusuar kryesisht në diskutime, analiza, debate dhe procedura brendapartiake.

Gazeta Express: Kush janë të preferuarit tuaj për koalicion?

Gruevski: Unë udhëheq partinë që është në koalicion me 25 parti të vogla në Maqedoni, një koalicion parazgjedhor multietnik, i vazhdueshëm dhe kështu ka qenë për një kohë të gjatë. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur sikur të kishim qenë jofer, jokorrekt, sikur t’i kishim mashtruar ose përdorur ata vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve. Përkundrazi, shumica e tyre e kanë provuar me kundërshtarët tanë SDSM-në, dhe thonë se dallimi është i madh – se gjithçka që kanë kërkuar nga SDSM-ja u ishte premtuar atyre, por premtimet nuk ishin mbajtur rregullisht, ose fare. E kundërta është me ne. Kemi pasur negociata të gjata me të gjithë, nuk heqim dorë nga premtimet lehtë, megjithatë përmbushja e këtyre premtimeve është detyrë e jona dhe jo e partnerëve tanë. Kemi marrëdhënie fer dhe korrekte me të gjithë. Ky është kapitali ynë i koalicionit, i cili edhe në ditët tona më të vështira, na ka ruajtur nga prishja e koalicionit, përkundër shumë përpjekjeve. Në përjashtim të dy partive që ne shumë kohë më parë i kemi konsideruar si të paqëndrueshme, të dyshuara për indoktrinimin e ambasadorëve të caktuar, mesazhet nga partitë tjera ishin se ata do qëndrojnë me ne edhe nëse dalim në opozitë. Kjo është një që duhet ta kemi merituar disi. Ne kemi merituar me punën e madhe që kemi bërë, duke mbajtur fjalën, me sjelljet parimore, me vlerat që ne përfaqësojmë, me parimet, sjelljen fer në kohë të mira e të këqija. Për më shumë, pasi këto dy parti të vogla lanë koalicionin, 4-5 parti tjera na u bashkëngjitën.

Tash pas zgjedhjeve kemi koalicionin paszgjedhor, i cili gjithmonë është ndërmjet një partie maqedonase dhe një shqiptare. Qasja që kemi pasur ndaj këtyre 25 partive në koalicionin parazgjedhor ka qenë gjithmonë e njëjtë me atë që kemi pasur me partitë shqiptare, kur ishim në koalicion me PDSH-në dhe kur u futëm në koalicion me BDI-në. Nuk e di nëse ata kanë kurajën ta pranojnë këtë publikisht, duke pasur parasysh fushatën njollosëse të mediave shqiptare të financuara nga Soros-i, duke na paraqitur si demonë para shqiptarëve në Maqedoni, por e di se në shumë biseda private, shumica prej tyre, përfshirë edhe zyrtarë, kanë pranuar këtë gjë. Çdo gjë që ju thashë juve, ata ma kanë thënë mua.

Me insistimin e disa partive shqiptare në Maqedoni në dekadën e fundit, është vendosur një praktikë se koalicioni paszgjedhor para themelimit të qeverisë, shumicën në Parlament t’ia japë fituesit në nivelin nacional në Maqedoni dhe partisë shqiptare fituese. Kemi praktikuar koalicionet postzgjedhore me një parti shqiptare në kohët kur kishim nevojë për të siguruar shumicën në Parlament dhe në kohët kur nuk kishim nevojë për ta, sepse kishim shumicën për ta votuar qeverinë. E bënim këtë sepse mendojmë se shqiptarët në Maqedoni janë shumë në numër dhe duhet të përfaqësohen në qeveri me një parti për t’i përfaqësuar ata që i kanë votuar. Kështu, qasja jonë është të mundohemi të krijojmë një koalicion me BDI-në, nëse ekzistojnë kushte për një gjë të tillë. Kësaj radhe, duke pasur parasysh se ne nuk kemi 51% në parlament, ky koalicion do të jetë i rëndësishëm për të krijuar shumicën në parlament. 

Gazeta Express: Për dallim prej jush që arritët të ruanit votën, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe me partnerin e deritashëm, BDI-në e Ahmetit. Shqiptarët mendojnë që ai u dëmtua në zgjedhje për shkak se qeverisi me ju. A u treguat i pakujdesshëm me të?

Gruevski: Pse BDI-ja ka fituar më pak vota është një pyetje që kërkon një analizë më të detajuar për të dhënë një përgjigje adekuate e që jam i bindur se ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk kam një analizë të tillë, por do e them opinion tim, bile edhe me mundësinë se mund të jem i gabuar. Së pari, ata, ashtu si edhe ne, kanë qenë në pushtet për një kohë të gjatë dhe pa marrë parasysh se sa punon dhe bën përpjekje me qëllim të arritjes së rezultateve më të mira, në shoqëritë demokratike qëndrimi gjatë në pushtet ka pasoja të caktuara te disa votues. E dyta, propaganda e disa mediave dhe OJQ-ve të mbështetura nga Soros-i, e udhëhequr kundër nesh, ka qenë pjesërisht e orientuar edhe kundër BDI-së me qëllim të dobësimit tonë dhe për t’i vënë ata në pozitë të atillë që t’i shkelin parimet e tyre dhe t’i kthejnë kundër nesh. Kjo edhe po ndodh. E treta, nuk po them se nuk kemi pasur dobësi të atilla, por me sa mbaj mend ata kanë pasur edhe më shumë hapësirë për të përmirësuar politikën e stafit të tyre – diçka të cilën e kam thënë disa herë gjatë takimeve tona.

Sa i përket punës dhe sjelljes, disa njerëz nuk kanë kontribuar mjaftueshëm dhe jam i sigurt se ata mund të kenë tërhequr dhe ofruar staf më të mirë dhe më të përgatitur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Edhe pse ata kanë zyrtarë që kanë bërë punën mirë, kanë pasur edhe disa për të cilët nuk mund ta them të njëjtën gjë. Dhe e katërta, mendoj se partia dhe zyrtarët e saj kanë qenë të përqendruar shumë në çështje të përgjithshme kombëtare, dhe jo sa duhet në problemet individuale të qytetarëve. Unë praktikisht them se kjo është dobësi e të gjitha partive shqiptare në Maqedoni. Edhe pas 25 vjetësh të pavarësisë, gara ndërmjet partive shqiptare është se cili është më radikal, kush kërkoi ose fitoi më shumë sa i përket flamurit, gjuhës etj., dhe merren më pak me atë se sa investitorë këta zyrtarë kanë bindur të investojnë dhe sa vende pune kanë hapur për të gjithë qytetarët, dhe nëse doni, për shqiptarët sidomos, sa kanë rritur numrin e të papunëve, e në të njëjtën kohë bënin presion për rritjen e pagave për të punësuarit në rajone të caktuara; sa profesorë të mirë i kanë bindur të vijnë në Maqedoni; dhe sa studentë të mirë kanë ardhur për të studiuar në universitetet shqiptare të Maqedonisë; sa doktorë shqiptarë kanë dalë dhe si duhet ndihmuar ata për dhënien e shërbimeve më të mira për qytetarët, përfshirë shqiptarët; sa fermerë, përfshirë shqiptarët, kanë zgjidhur problemet e tyre dhe sa padrejtësi të bëra nga administrata janë përmirësuar etj.

Partitë shqiptare disi të gjitha problemet i përqendrojnë te çështja kolektive kombëtare dhe kjo dëmton qytetarët dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të përditshme, nevojave dhe sfidave. Nuk mund të jetohet vetëm me politikë të lartë. Kjo është në rregull, por qytetarët kanë nevojë për gjëra konkrete dhe partitë e tyre, besoj, janë të përqendruara diku tjetër dhe kjo me sa duket është edhe kriteri kryesor në përcaktimin e politikës së stafit. Dhe çfarë ndodh më vonë? Kur përballen me pakënaqësitë e qytetarëve shqiptarë për çështje të pazgjidhura, shumë politikanë shqiptarë në Maqedoni fajësojnë VMRO-DPMNE-në. Nuk po flas me hamendje, kam dëgjuar këtë nga disa prej tyre në biseda private. Ata nuk përmirësojnë veten dhe veprimet e veta, por fajësojnë dikë tjetër. Kjo nuk është dobësi vetëm e BDI-së, por e të gjitha partive shqiptare.

Për shembull, më 2006 kur erdhëm në pushtet nuk kishim staf të kualifikuar si parti, sidomos pas përçarjeve dhe ndarjeve të brendshme, por nuk e pata problem të propozoja 6 nga 11 anëtarë për kabinetin qeveritar që nuk ishin anëtarë të VMRO-DPMNE-së, por ata punuan shumë dhe ndihmuan Maqedoninë dhe indirekt, ata ndihmuan VMRO-DPMNE-në. Disa prej tyre, me vetiniciativë iu bashkuan partisë. Po ashtu ne vlerësuam se për pozita të caktuara kishim nevojë për njerëz me përvojë më të madhe ndërkombëtare, që punonin në kompanitë multinacionale. Dhe çfarë bëmë? Ftuam bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë të kthehen dhe të marrin pozita të rëndësishme. Në një moment, një e treta e ministrave ishin të kthyerit nga SHBA, Gjermania, Anglia, Belgjika dhe Serbia… shumica prej SHBA-ve, nga kompanitë më të mira ose institucionet ndërkombëtare. Nuk u kërkuam të bëheshin anëtarë të VMRO-së, edhe pse disa prej tyre e bënë këtë më vonë, megjithatë ata i sollën VMRO-së shumë përfitime politike. Ne spikasim kualitetet e individit, kompetencat që ka ai në fushë të caktuar, përvojën, njohuritë, gatishmërinë për të ndryshuar Maqedoninë për të mirë. Dhe nuk ishte lehtë për ta bindur dikë për të lënë gjithçka në SHBA, gjithçka që kishin ndërtuar për një dekadë a më shumë dhe të ktheheshin për të ndihmuar shtetin. Por unë kam insistuar, kam punuar, kam qenë i përkushtuar… Besoj se një ditë partitë shqiptare do t’i vënë në përdorim këto parime, kjo do të ishte më mirë për ata si parti, por do të ishte më mirë për shqiptarët në Maqedoni dhe për të gjithë shqiptarët. Kjo është analiza ime, e cila, e pranoj, mund të mos jetë më e sakta në disa pjesë, por ky është mendimi im.

Gazeta Express: Çfarë raportesh keni me Ahmetin?

Gruevski: Marrëdhëniet e mia me Ahmetin janë kryesisht zyrtare. Të dy ne, si kryetarë të dy partive më të mëdha, kemi bashkëpunuar dhe dialoguar. Në fillim kishte shumë mosbesim, por me kalimin e viteve, gjendja u stabilizua. Kemi zgjidhur shumë gjëra bashkë dhe kemi krijuar vepra të rëndësishme për të gjithë qytetarët. Është fakt se gjatë mandatit tonë ne kemi hapur më shumë se 170,000 vende pune në Maqedoni dhe numri i të punësuarve që atë kohë ishte 560,000 tash është rritur në 730,000 të punësuar në nivel vendi. Kjo betejë është për secilin qytetar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike. Së bashku e kemi ngritur Maqedoninë në vendin e 5 në Evropë dhe të 10 në botë në listën e të bërit biznes, së bashku arritëm të liberalizojmë vizat dhe kemi harmonizuar legjislacionin me BE-në. Vendi ka shënuar progres në shumë drejtime. Duke lënë anash opinionin e përgjithshëm, të krijuar kryesisht nga mediat dhe OJQ-të, të mbështetura nga Soros-i, të dy partitë tona kanë përmirësuar seriozisht të drejtat e komuniteteve më të vogla në Maqedoni sa i përket përdorimit të gjuhës, simboleve, edukimit, decentralizimit, përfaqësimit ligjor, atë në sektorin publik dhe në administratë, por po ashtu edhe shumë çështje tjera në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, që janë shumë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë. Për fat të keq, patëm edhe një shkarje serioze: lejuam mediat dhe OJQ-të e mbështetura nga Soros-i të zbehin të gjitha përpjekjet tona dhe rezultatet, sidomos në rrafshin ndëretnik, për t’i njollosur ato rezultate, për të më portretizuar mua si armik i shqiptarëve, dhe Ahmetin person që është shumë tolerant ndaj kësaj gjendjeje. Kjo nuk është e vërtetë, por në politikë, perceptimi është i rëndësishëm po aq sa edhe e vërteta. Ne duhet mësuar nga kjo dhe nuk duhet lejuar të na përsëritet në të ardhmen. E them me përgjegjësi se gjatë mandatit të VMRO-DPMNE-së kemi bërë pakrahasimisht dhe me siguri të plotë, avancimin më të madh sa u përket të të drejtave të komuniteteve të ndryshme etnike. Megjithatë, dikush krijoi një perceptim tjetër. Mbeten edhe shumë sfida, në të gjitha fushat, përfshirë edhe integrimet euro-atlantike.

Gazeta Express: Tashmë dihen qëndrimet e BDI-së për një koalicion të ardhshëm me ju: dygjuhësia në të gjithë vendin dhe vazhdimi i mandatit për Prokurorinë Speciale. A janë të negociueshme këto kushte për ju?

Gruevski: Nuk ka vend në rajon dhe ndoshta as në Evropë, i cili u ka dhënë më shumë të drejta komuniteteve më të vogla etnike sesa Maqedonia. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi, por ne nuk duhet ndjekur zgjidhje jologjike, nga të cilat askush nuk mund të përfitojë. Ne respektojmë përdorimin e gjuhëve, ne konsiderojmë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Kushtetuta duhet të respektohen dhe çdo ndryshim kushtetues mund të shkaktojë probleme. Ne mbështesim idenë se përdorimi i gjuhëve të komuniteteve më të vogla duhet përmirësuar dhe kemi dëshmuar se me disa ligje, amendamentime të ligjeve etj., që janë aprovuar deri më tash, kanë kontribuar në përmirësimin e situatës, edhe pse ka shumë njerëz në vend që e kundërshtojnë këtë. Ekzistojnë shumë problem komplekse për ta menaxhuar politikisht këtë situatë. Ne si parti, kemi marrë përsipër barrën e rrezikut për t’u keqkuptuar nga maqedonasit dhe me siguri për t’u dënuar në zgjedhjet e ardhshme për ndërmarrjen e hapave të tillë në disa raste. Por mediat e Soros-it dhe OJQ-të, jo vetëm që nuk i kanë prezantuar këto hapa, por ata në vazhdimësi irrituan shqiptarët kundër nesh, dhe prezantuan hapat tanë si diçka e vogël dhe e papërfillshme. Ata kurrë nuk kanë bërë krahasimin me të drejtat që shtetet tjera sigurojnë për minoritetet, sepse po ta bënin këtë, do t’i linte ata gojëmbyllur. Nuk dua të keqkuptohem nga askush, por fqinjët tanë kanë komunitete të vogla etnike dhe ne jemi pakrahasimisht më mirë se ata, sa i përket kësaj çështjeje. Megjithatë, këto janë tema të ndjeshme dhe nuk dua që të bëj krahasime me qëllim që të parandaloj mundësinë e shtrembërimit të deklaratave të mia sërish. Kërkesa për dygjuhësi në tërë territorin kërkon, pikë së pari, ndryshimin e Kushtetutës dhe, së dyti, nuk është kërkesë realiste dhe e drejtë sepse shqiptarët janë të përqendruar kryesisht në veriperëndim të vendit. Ekzistojnë shumë komuna pa asnjë shqiptar dhe ka komuna në të cilat shqiptarët përbëjnë 35 për qind e maqedonasit 65 për qind. Ky është realiteti dhe ligjet duhet përshtatur realitetit dhe jo dëshirave të individëve ose përpjekjeve për të fituar poenë politikë me këtë çështje. Në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë së paku 20 për qind, ekziston dygjuhësia. Kështu që kërkesa për implementimin e dygjuhësisë nuk është që shqiptarët të jenë të barabartë në numër ose shumicë në disa komuna, por nëse janë 20 për qind, dygjuhësia pranohet.

Çfarë përfitimi do të kishin shqiptarët sikur të kishte dygjuhësi në Gjevgjeli, Dolqevo, Strumicë, Osilovo, Shtip dhe shumë qytete e komuna tjera ku nuk jetojnë shqiptarët ose numri i tyre është shumë i vogël? Është, ndërmjet tjerash, një shpenzimi i madh, por edhe një trajtim jo i drejtë i komuniteteve tjera jo shumicë siç janë turqit, vllahët, boshnjakët, serbët dhe romët. Dhe e fundit, do të kishte shumë pasoja për maqedonasit në komunat ku nuk jetojnë shqiptarët dhe ne nuk mund t’ua sqarojmë këtë atyre. Të mos e përmendim faktin se në Maqedoni ekzistojnë disa struktura radikale që nuk e shohin këtë projekt nëpërmjet prizmit të të drejtave të njeriut, por nëpërmjet prizmit të rikompozimit të shtetit dhe kufijve të shtetit dhe ne duhet marrë parasysh edhe këtë. Ne dëshirojmë të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, por po ashtu dëshirojmë ta ruajmë karakterin unitar të shtetit dhe nuk duam të lëmë hapësirë për disa struktura radikale, të cilat, pa marrë parasysh faktit se nuk kanë mbështetje të rëndësishme për momentin, ekzistojnë dhe paraqesin rrezik potencial.

Sa i përket Zyrës së Prokurorisë Speciale, do të thosha se ne kemi nënshkruar një marrëveshje të cilën do ta respektojmë në tërësi. Dikush dëshiron ta ndryshojë këtë marrëveshje. Ne nuk duam ta ndryshojmë, duam vetëm ta implementojmë atë që është arritur. Qëndrimi i partisë tonë është se Zyra e Prokurorisë Speciale duhet të punojë në pajtim me marrëveshjen e qershorit/korrikut 2015, e quajtur Marrëveshja Przino nga disa, dhe sipas ligjit që është votuar së bashku nga të gjitha partitë. As për afat më të gjatë e as më të shkurtër. Ne kemi një marrëveshje dhe kjo duhet respektuar, jo ndryshuar. Ne nuk mbështesim ndryshimet e një marrëveshjeje për të cilën të gjithë jemi pajtuar së bashku, publikisht dhe me konsensus, me të cilën kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për kryerjen e hetimeve për të gjitha ato arsye për të cilat kjo prokurori është formuar dhe për këtë qëllim ne kemi ofruar komplet ndihmën logjistike për Zyrën e Prokurorisë Speciale Publike. Sidomos, arsyet që na janë prezantuar neve janë krejtësisht të pambështetura në fakte, dhe duket qartë se prapavija e tërë kësaj është interesi i dikujt që nuk ka të bëjë asgjë me ligjin dhe shtetin ligjor, por me objektivat politike. Vazhdimësia e Zyrës së Prokurorisë Speciale do të thotë vazhdimësi e krizës, e cila me siguri i përshtatet dikujt, por jo Maqedonisë. Për këtë arsye, këto gjëra janë shumë të qarta për ne dhe shumicës së qytetarëve të këtij vendi dhe ne mendojmë se nuk ka hapësirë për negociata.

Gazeta Express: A jeni të gatshëm që postin e kryetarit të Kuvendit t’ia jepni BDI-së?

Gruevski: Kjo do të thotë para së gjithash se disa gjëra, autoriteti personal, profesionalizmi, karizma, kapaciteti, e kaluara dhe vizioni i kandidatit, por po ashtu partia e cila e mbështet atë, nëse nuk është kandidat i propozuar nga partia. Kushtetuta dhe ligjet nuk përcaktojnë ndonjë kufizim sa i përket bazës etnike dhe fetare. Para shtatë vjetësh, një politikan shqiptar i një partie jo shumë të madhe, në atë kohë e sapoformuar, ishte kandidat për president, por nuk ia doli, por ai fitoi shumë vota, mendoj dikur rreth 150,000 vota në raundin e parë. Sipas analizave që kemi bërë, ai ka fituar më shumë vota nga maqedonasit sesa shqiptarët. Më vjen keq që më vonë humbi në zgjedhje, duke besuar se në zgjedhjet parlamentare duhet përdorur retorikë krejtësisht radikale etnike dhe fetare që është mënyra e vetme për t’i tërhequr votuesit shqiptarë. Kështu ai shpërndau shumë urrejtje dhe energji negative. Pastaj si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët ia kthyen shpinën dhe ai dështoi si politikan. Kur filloi këtë mbrapakthim, në fillim fare, e takova rastësisht, e urova për suksesin e mëhershëm që askush s’e kishte arritur më herët, dhe ia dhashë një këshillë miqësore se do të gabonte sikur do të vazhdonte ashtu siç kishte nisur, me retorikë krejtësisht radikale. Ai vendosi ndryshe dhe vendosi të jetë më radikal se shumica e politikanëve radikalë shqiptarë. Problemi kryesor është jo pse ai shkatërroi karrierën politike, por fakti se duke zhgënjyer 80 mijë maqedonas të cilët e votuan dhe me siguri, së paku po aq votues potencialë, të cilët hezituan dhe po mendonin ta mbështesnin atë në zgjedhjet e ardhshme, ai ia mbylli rrugën jo vetëm vetes, por ndoshta edhe ndonjë politikani tjetër shqiptar, së paku për një farë kohe, që të marrë besimin e maqedonasve. Është për të ardhur keq. Pas kësaj kam dëgjuar maqedonasit të thonë se e kanë konsideruar atë si ujk në lëkurë të deles dhe nuk mund t’ia falin vetes se si ia arriti t’i mashtronte ata dhe shqiptarët, duke e konsideruar atë si kandidat joserioz, i cili transformohet nga një palë zgjedhje në tjerat, sipas nevojës dhe kur kishte nevojë që ta votonin për president ai i servilosej maqedonasve dhe kur i duheshin votat e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare, ai fillonte t’u vardisej shqiptarëve me retorikë radikale. Është vërtet për të ardhur keq se si politikanët shqiptarë në Maqedoni ende garojnë dhe fitojnë e humbin zgjedhjet sipas pozitës radikale e jo për shkak të moderimit dhe vizionit të tyre për një kualitet më të mirë të jetës, paga më të larta, pensione, subvencione, investime, punë, infrastrukturë… Qëndrimet radikale konsiderohen si retro në bllokun maqedonas për një kohë të gjatë. Para këtyre zgjedhjeve të fundit, kemi fituar katër cikle zgjedhjesh parlamentare, vetëm duke ofruar projekte në fushat e ekonomisë, punësimit, investimeve, bujqësisë, shëndetësisë, edukimit, kulturës… Zgjedhjet e fundit ishin të parat prej se jam unë president i partisë që ne pranuam se një pjesë e fushatës duhet kushtuar çështjeve etnike, sepse kjo na ishte imponuar nga kundërshtari ynë Zaev, i cili doli me një ofertë për kushtetutshmërinë e shqiptarëve, e cila i shokoi të gjithë ata të cilët nuk merren me politikë shumë dhe nuk e njohin Zevin, dhe nëse do të kishe korrur sukses, do të kishte qenë e dëmshme për maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Duke e ditur se ai humbi zgjedhjet, pasi nuk ishte në gjendje të mendonte një ofertë më të mirë ekonomike dhe vizion për të gjithë qytetarët e vendit, ai filloi të paraqesë oferta të cilat nuk ia kërkonte askush, siç është kantonizimi i vendit për shembull. Nuk mund t’i injoronim këto çështje, sepse detyra jonë si politikanë është të sinjalizojmë me kohë për rreziqet që vijnë nga vendime të gabuara politike. Për këtë arsye në vend se të përqendrohemi vetëm në ekonomi gjatë fushatës, ashtu siç ishte përgatitur dhe shtypur programi ynë elektoral, gjysma e fushatës iu përkushtua ekonomisë dhe gjysma tjetër e fushatës iu përkushtua politikës dhe çështjeve etnike. Askush s’mund të jetojë me dygjuhësi në Gjevgjeli, por Zaevi ua shiti këtë rrëfim 70,000 shqiptarëve. Sikur të kishte fituar, duke ia njohur dobësitë e tij serioze, shqiptarët do të ishin zhgënjyer me SDSM.

Gazeta Express: A do të duhej që edhe në të ardhmen njëra prej tri pozitave shtetërore t’u takojë shqiptarëve?

Gruevski: Shqiptarët dhe komunitetet tjera pakicë kurrë nuk janë diskriminuar sa u përket investimeve. Përkundrazi, është investuar shumë dhe ende po investohet në rajonet ku ata janë kryesisht të përqendruar. Por çfarë mund të bëjë tjetër një parti opozitare për të kritikuar sa i përket kësaj çështjeje, pa marrë parasysh se cila parti opozitare. Ekziston një traditë në Maqedoni, se kur një parti shqiptare është në opozitë të kritikojë qeverinë se po i diskriminon shqiptarët sa i përket investimeve, ndërsa partitë shqiptare në qeveri e mohojnë këtë. Kur ndryshojnë rolet, ajo e cila nuk është më në pushtet dhe është në opozitë fillon e kritikon, ndërsa ajo që gjendet në pushtet mohon akuzat. Ndoshta deri në një farë mase kjo është një garë legjitime politike. Por ka shumë qytetarë që nuk e shohin këtë çështje kështu, ata u besojnë atyre që kritikojnë brenda kësaj gare legjitime dhe kjo shndërrohet në problem ndëretnik. Për këtë arsye është e rrezikshme që kur partitë e grupeve të vogla etnike përpiqen të vijnë në pushtet luajnë vetëm me emocionet etnike të qytetarëve. Pasojat e këtij veprimi mund të jenë serioze, polarizimi etnik, tensionet, intolerancë, urrejtje. Politikanët e kuptojnë se grindjet e ndërsjella nuk janë shumë realiste, por një numër i madh i qytetarëve nuk e kupton këtë dhe mbesin të frustruar.

Gazeta Express: Ju thatë që shqiptarët më shumë kanë nevojë për fabrika sesa që gjuha shqipe të shkruhet edhe në fshatrat maqedonase. Pse nuk u bënë ato fabrika për këto 10 vjet?

Gruevski: Siç kam thënë, shumë fabrika të tilla tashmë janë hapur në Maqedoni. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Kjo ka ndodhur pas një pune të madhe për krijimin e një klime të mirë të biznesit, e pesta në Evropë, e 10-ta në botë sipas renditjes së Bankës Botërore.

Ne kemi qenë të renditur në vendin e 94-të në botë. Ne kemi nivelin më të ulët të taksave efektive në botë -7.4, por edhe një administratë efikase tatimore. Ne kemi Regjistrin Qendror më të mirë në Evropë, sipas Bankës Botërore, i cili është themeluar kur unë isha ministër i Financave. Ne kemi ndryshuar mijëra ligje me qëllim të uljes së burokracisë për kompanitë dhe qytetarët. Kemi investuar shumë në arsimim dhe sektorin e shëndetësisë. E gjithë kjo kërkon shumë punë, por ne kemi arritur përparim të madh dhe të gjithë na përgëzojnë.

Kemi përmirësuar ndjeshëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit, prandaj kemi përmirësime për 40 vende në listën e Transparency International. Unë kam qenë shumë i fokusuar në këtë dhe për fat të keq kam lënë pas dore disa gjëra në pjesën politike, ku me ndihmën e parave të Soros-it, mediave të tij, OJQ-ve, së bashku me opozitën, më është shkaktuar shumë dëm duke krijuar perceptim të shtrembëruar për mua personalisht, për partinë time dhe për Maqedoninë.

Ata nuk ndërtuan as nuk krijuan asgjë, nuk ndryshuan etj., ata vetëm shpenzuan para për të më diskredituar mua. Unë kam punuar 15 orë në ditë, i fokusuar të përmirësoj jetën e të gjithë qytetarëve. Po të mos e kisha bërë këtë, ndoshta suksesi do të kishte qenë më i vogël dhe në këtë drejtim nuk më vjen aspak keq për përpjekjet e mia.

T’i kthehem tash pyetjes suaj, fabrikat filluan të vijnë masivisht, edhe gjatë krizës politike. Si rezultat, papunësia në vend është ulur nga 38.7 në 23.4 për qind. Kishim ulje të madhe të papunësisë në kushte të vështira të krizës globale, krizës evropiane të borxheve dhe tani gjatë krizës politike.

Shumë njerëz në vend dhe jashtë vendit më urrejnë për shkak të kësaj, për shkak se rezultatet e mia dhe ato të partisë sime janë pasqyra më e mirë e dështimit të tyre. Numri i përgjithshëm i të punësuarve në Maqedoni, kur erdhëm në pushtet, ishte 560,000, tani ky numër është afër 730,000. Kjo nuk ndodhi rastësisht.

Ju duhet ta dini se investitorët i zgjedhin vetë vendet dhe komunat. Në raste të rralla ne mund të ndikojmë dhe në ato raste iu kërkojmë që të investojnë jashtë Shkupit, kudo që ata vendosin, në mënyrë që të ketë shpërndarje të barabartë të vendeve të punës. Në 3-4 vitet e fundit kemi 30 deri në 35 vendime të kompanive të mëdha të huaja për të hapur fabrikat e tyre në Maqedoni dhe ato janë realizuar. Për këtë arsye, jo vetën që është vlerësim real të kemi 100 fabrika të reja në 4 vitet e ardhshme, por ky është një vlerësim konservator. Sigurisht në qoftë se nuk do të kemi goditje nga jashtë dhe në qoftë se e kemi një situatë të qëndrueshme politike.

Për dy vjet me radhë ne jemi vendi me numrin më të lartë të investimeve të huaja për kokë banori në botë. Ne u bëmë një vend nga i cili mund të mësohet shumë në lidhje me këtë çështje, por ne kemi investuar shumë mund dhe punë për të arritur në këtë pikë. Në këtë moment, ka më shumë se 10 kompani që janë afër marrjes së një vendimi për të investuar në Maqedoni me të cilët jemi në kontakt dhe jemi duke punuar edhe me 100 kompani tjera. Sigurisht, ne nuk do të kemi sukses me të gjithë ato, por me një pjesë të tyre do të kemi sukses. Ne kemi kapacitete të forta për këtë punë.

Gazeta Express: Shkalla e papunësisë së shqiptarëve është dukshëm më e lartë sesa ajo e maqedonasve. A është kjo për shkak të diskriminimit, mungesës së kualifikimeve adekuate, apo një trendi negativ nga e kaluara?

Gruevski: Nuk kam të dhëna se shqiptarët në Maqedoni kanë një normë më të lartë të papunësisë sesa maqedonasit, por unë e di se struktura arsimore e popullatës shqiptare është më e ulët, gjë që është e lidhur direkt me punësimet. Çdo punëdhënës dëshiron të ketë të punësuar me njohuri dhe kompetenca më të mëdha. Kjo është arsyeja pse unë kam bërë shumë përpjekje dhe në pjesë më të madhe kam pasur sukses për të bindur dhe për të ndihmuar sa më shumë qytetarë që të jetë e mundur, për t’iu mundësuar arsimim sa më të lartë që të jetë e mundur. Ne kemi bërë arsimin e lartë, si dhe atë fillor, të detyrueshëm dhe pa pagesë. Ka pak vende në botë që kanë ofruar një mundësi të tillë. Ne kemi hapur shumë fakultete të reja, universitete dhe kemi ofruar mbulimin e të gjitha shpenzimeve për secilin qytetar tonin për t’u pranuar në një nga 100 universitetet e nivelit më të lartë në botë, me kusht dhe detyrim që të kthehen në Maqedoni dhe të jetojnë dhe të punojnë për të paktën 6 vjet në shërbimin civil ose sektorin privat, sipas zgjedhjes së tyre. Kjo vlen për të gjithë qytetarët, ne nuk kemi ligje diskriminuese për diçka që të jetë e vlefshme për maqedonasit dhe të mos zbatohet për shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllahët.

Parakusht për punësim më të lehtë është arsimi dhe cilësia e tij. Universitetet në Maqedoni, sidomos disa prej tyre, kanë shumë punë për të bërë, për të fituar epitetin se janë cilësore. Nga të dy universitetet më të mëdha shqiptare, Universiteti i Shtulit është i cilësisë më të mirë dhe unë kam bërë shumë përpjekje për të ndihmuar Universitetin shtetëror në Tetovë që të bëhet si Universiteti i Shtulit. Unë kam nevojë për mbështetje më të madhe të partive shqiptare për ato objektiva dhe kurajë më të madhe politike nga ana e tyre, sepse ne kemi një qëllim të përbashkët, që shqiptarët në Maqedoni, krahas diplomave, të fitojnë njohuri të madhe, të paktën të të njëjtit nivel si studentët e Universitetit Maqedonas të nivelit më të lartë. Them “të paktën” ngase edhe ai Universitet, shikuar në kornizën evropiane ose globale, është shumë nën nivelin e duhur, gjë që mund të shihet nga renditjet e shumta.

Është edhe një tipar në rajonet shqiptare dhe kjo është traditë në një përqindje të lartë që gratë myslimane të mos punojnë. Sigurisht, ky është vendim i tyre dhe unë e respektoj atë dhe nuk ndërhyj në atë vendim personal ose familjar dhe traditë, por shumë herë investitorët vendosin të mos investojnë në disa rajone ngase shqetësohen se nuk do të gjejnë fuqi të mjaftueshme punëtore, edhe pse ata marrin informata mbi numrin e lartë të papunëve në një komunë ose rajon ku shqiptarët e përbëjnë shumicën e popullatës. Një realitet i tillë shpesh tregon papunësi më të lartë, por me një numër më të madh të punëkërkuesve pasivë të punës, jo ata aktivë dhe krijon një perceptim të gabuar, për shkak të numrit të lartë të të papunëve që nuk janë duke kërkuar punë. Dhe së fundi, kur ndonjë investitor vendos të investojë në Maqedoni dhe i duhet të vendosë në cilën komunë të ndërtojë fabrikë, edhe kryetarët e komunave kanë një rol shumë të madh – sa të aftë dhe të gatshëm janë ata për t’i pranuar investimet. Për shembull, ka kryetarë të komunave që kanë ndjekur rekomandimet tona për të ndërtuar një zonë industriale me një infrastrukturë të plotë, me rrugë, ujësjellës, kanalizim, energji elektrike etj. Dhe sigurisht, ata kanë shanse më të mëdha për të tërhequr investitorët. Kjo është çfarë kanë bërë, për shembull, Vinica, Vasileva, Gjevgjelia, Prilepi, Manastiri, Petroveci dhe disa qytete të tjera dhe rezultati ishte se shumë shpejt ato arritën të shesin lokacione dhe atje tashmë janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar fabrika dhe objektet tjera të biznesit. Krahas zonës industriale dhe qëndrimit të kryetarit të komunës, ka edhe faktorë të tjerë, por unë do të doja të përmblidhja dhe të them se shumë shpesh në të kaluarën, shumë kryetarë të komunave dhe politikanë janë përpjekur të më atribuojnë mua dhe qeverisë mungesën e tyre personale për përpjekjet dhe dështimet. Dhe, në fakt, ne kemi qasje të njëjtë për të gjithë, për shkak se të gjithë qytetarët janë qytetarët tanë, dhe ne jemi duke u përpjekur për të ndihmuar kudo. Por, si mund të ndihmojmë në qoftë se dikush e injoron atë ndihmë dhe nuk është i interesuar dhe mendon për gjëra të tjera.

Një numër i madh projektesh janë realizuar gjatë mandatit tonë në veriperëndim të Maqedonisë, ku shqiptarët janë kryesisht të përqendruar. Kemi bërë rikonstruktime të përgjithshme të spitaleve me pajisje më moderne, siç ka qenë rasti në Gostivar dhe Tetovë, tash një qendër emergjence po ndërtohet në Kumanovë, një spital i ri në Kërçovë, ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër, rikonstruktimi i rrugës së vjetër Tetovë – Gostivar, e cila është shumë e rëndësishme për fshatrat, 7 ose 8 salla të reja të sportit në Tetovë dhe nuk e di se në sa qytete tjera, rikonstruktimi i teatrit shqiptar në Shkup, ndërtimi i teatrit dhe librarisë në Tetovë, rindërtimi i qindra rrugëve rajonale, shumë rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit, qendra për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtesa gjigande e Universitetit të Tetovës me sallën e sporteve, rindërtimi i shumë shkollave ku të gjithë ose shumica e fëmijëve janë shqiptarë etj. Por çfarë është edhe më e rëndësishme, kemi tërhequr kompani të mëdha multinacionale të cilat kanë ndërtuar fabrika dhe kanë hapur vende të reja të punës për njerëzit në ato rajone, siç është Lear në Tetovë, e cila krijoi 2500 vende të reja pune, Key Safety Systems në Kërçovë me së paku 1000 vende pune në fazën e parë, dhe së paku 600 më shumë janë planifikuar në fazën e dytë, Kompania gjermane “ODW Elektrik and Kostal”, në rajonet e Strugës dhe Ohrit, ku janë hapur 1000 vende të reja punë dhe dhjetëra projekte tjera në Shkup, siç është prodhuesi belg i autobusëve “Van Hool” me 800 vende tjera të punës, “Johnson Matthey”, “Johnson Controls” etj.

Nuk mund të ndahemi në baza etnike. Ne jetojmë në një shtet të vogël dhe për çdo gjë që është investuar mund të jetë për të mirën e të gjithëve. A nuk është rindërtimi i rrugës Veles – Shkup për shqiptarët, ose rindërtimi i qendrës kryesore klinike “Nënë Tereza” në Shkup, e cila u inaugurua disa muaj më parë do të jetë vetëm për maqedonasit. Jemi shumë të vegjël për ndarje të tilla për të qenë të vërteta. Po të kishim qenë të mëdhenj si Kina ose Rusia, ndoshta dikush do të kishte thënë se a duhet që unë nga Moska, të kem lidhje me rrugën në Vladivostok, por a ka maqedonas që mund të pyesë se çfarë ai ose ajo ka lidhje me rrugën Kërçovë – Gostivar, ndërtimi i së cilës është planifikuar për mandatin e ardhshëm, ose një shqiptar të thotë se ai ose ajo nuk kanë asnjë lidhje me hekurudhën e Shkupit, ku shumë njerëz nga Shkupi dhe vendet tjera e përdorin. Mund të ketë diskutime të tilla kur flitet për disa fshatra, por ne i kushtojmë shumë vëmendje rasteve të tilla kur shpërndajmë fonde dhe projekte.

Gazeta Express: Si ndodhi që rivali i juaj, LSDM, arriti të marrë votat e shqiptarëve?

Gruevski: Me ndihmën e pakursyer të OJQ-ve, aktivistëve dhe mediave të Soros-it.

 

Gazeta Express: A besoni në parti multietnike?

Gruevski: Po, unë besoj në partitë multietnike, sepse partia ime është multietnike. Kemi anëtarë, votues dhe zyrtarë prej gati të gjitha komuniteteve. Megjithatë, multietniciteti është i pamjaftueshëm për momentin. Ky është niveli i zhvillimit. DO të përmirësohet gradualisht, sidomos pas anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Gazeta Express: Te shqiptarët ekziston bindja që ju jeni kundër anëtarësimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. A mund të marrim një përgjigje të qartë për këto dy çështje?

Gruevski: Ky është perceptim i gabuar. Unë dhe partia ime kemi thënë qartë se punojmë shumë në këtë drejtim. Në të vërtetë është partia ime që për dy vjet, nga 2006 deri më 2008, arriti të përmbushë të gjitha kërkesat e shtetit dhe të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO më 2008, së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë, dhe një vit më vonë Komisioni Evropian vendosi se shteti është gati të fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në, por në të dyja rastet, rezultati final nuk ishte arritur për shkak të bllokadës së Greqisë lidhur me kërkesën e tyre për ndryshimin e emrit të shtetit tonë, emri i gjuhës, gjuhës maqedonase dhe emri i kombit, në komb maqedonas. Pyetje skajshmërisht e vështirë. A mund ta imagjinoni si do të reagonin qytetarët dhe politikanët e vendit tuaj sikur politikanët tuaj do të duhej të nënshkruanin se ju nuk jeni shqiptarë dhe t’ua japin një emër nga një listë e ngushtë e miratuar nga fqinji juaj, dhe gjuha që flisni nuk është më gjuha shqipe, por një tjetër, plus të ndryshoni emrin e shtetit. E në krejt këtë çështje, gjithçka ndodh në një atmosferë në të cilën fqinji juaj ju thotë se nuk jeni shqiptar dhe ju përfaqësoheni rrejshëm dhe të ju shantazhojë publikisht se pa ndryshuar identitetin dhe emrin, nuk do të ju lejohet progresi për ambiciet tuaja për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së. Për më shumë nëse shumica e shtetit është kundër kësaj ideje dhe nëse kërkojnë kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve, të ju fajësojnë se shumica e qytetarëve dhe politikanëve në pushtet janë nacionalistë dhe shovinistë, e tërë kjo vetëm sa për të bërë presion te politikanët për të dëshmuar se ata nuk janë aq të fortë dhe të nënshkruajnë çfarë u kërkohet të bëjnë nga jashtë. 

Është një situatë shumë e vështirë, nuk dua t’i ndodhë askujt. Situatë e çmendur. Në njërën anë, të ju fyejnë dhe në anën tjetër të ju shpallin përgjegjës për mospranim të shantazhit që dy të tretat e qytetarëve të cilëve ti u referohesh, në këtë rast maqedonasve, janë kundër. Pastaj, këtu vjen Soros-i, ai aktivizon ndikimin politik dhe pushtetin në vendet më të fuqishme, hap 70 OJQ, u jep  ryshfet numrit më të madh të mediave dhe ua bën me dije se nëse nuk pranoni atë që ua kërkon, ai do të bëjë, do të krijojë perceptimin për juve, se ti je shovinist, kriminel, i korruptuar dhe njeri i keq e i paaftë dhe çdo gjë më të keqe. Nëse ia del me këtë politikë në Maqedoni, ai do ta bëjë të njëjtën gjë në vendet dhe qytetarët tjerë, sidomos në shtete me ekonomi të varfra si ajo e jona, ku me një shumë të vogël parash nga ai, që është shumë e madhe për ne, ai mund të arrijë shumë. Ai indoktrinon një pjesë të madhe të njerëzve të rinj nëpërmjet ligjëratave të financuara nga forma të ndryshme, krijon një armatë të protestuesve me pagesë dhe provon të rrëzojë qeveri dhe të shkatërrojë shtete.

Më lejoni të kthehem në pyetjen që bëtë, qëllimi ynë është që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ne do të bëjmë ç’është e mundur për t’i tejkaluar sfidat për të cilat fola më lart dhe për realizimin e prioriteteve tona strategjike.

Gazeta Express: Pse është [George] Soros kaq i rëndësishëm në Maqedoni, cili është rreziku që paraqet ai?

Gruevski: Soros është një njeri biznesmen, i cili po ashtu ka ideologjinë e vet të lidhur me institutin shoqëria e hapur. Siç e kam parë në media ka spekulime se ai është duke shkaktuar ndryshimet në aksionet shtetërore dhe monedhën. Jashtë biznesit, sa i përket aktiviteteve që lidhen me biznesin e te cilat janë shumë të njohura, ai ka aktivitete që lidhen me politikat. Ai është aktiv në një numër vendesh, veçanërisht në Evropën Lindore, përfshirë dhe në Amerikë duke tentuar që ta fusë dhe zbatojë ideologjinë e vet në këto vende. Zakonisht këto ideologji janë të lidhura me partitë majtiste. E ne jemi parti e qendrës së djathtë, parti konservatore, dhe ideologjia jonë nuk është aq e përafërt me atë të zotëri Soros. Dhjetë për qind të parave në Evropë ai është duke i shpenzuar në vendin tonë, Maqedoni, nëse e shikojmë për kokë banori, mbase ne jemi vendi numër një në Evropë ku ai po i shpenzon paratë e tij. Ai ka 25 vite këtu [në Maqedoni], por këto vitet e fundit ai është më aktiv në financimin e institutit për shoqëri të hapur, i cili është ombrella e më shumë se 70 organizata joqeveritare në Maqedonia, të cilat janë 90 apo 100 për qind të financuara nga Soros. Kur VMRO është në qeveri, ushtria e Soros, mediat, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile janë kundër nesh, për gjithçka, prandaj nuk aktivitet apo hap të partisë tonë se nuk e… [2.41]..dhe kur VMRO është në opozitë Soros është kundër nesh, pra pavarësisht a në qeveri apo opozitë, aktivistët e Soros, pavarësisht se në çfarë mënyre, qoftë në organizata joqeveritare, media apo institutit për shoqëri të hapur, ata gjithmonë janë kundër nesh në përkrahje të social demokratëve. Nganjëherë e pyes veten se a është e mundur në kaq shumë vite që VMRO nuk e ka bërë një hap të mirë dhe social demokratët nuk e kanë bërë asnjë hap gabim. Mbase nuk është e mundur, por e kemi një situatë ku ky biznesmen miliarder ka një ide të qartë se çfarë të bëjë në vendin tonë. Siç thashë, ai ka shpenzuar shumë para, por vitet e fundit i ka rritur aktivitet e veta këtu.

Gazeta Express: Sa para vlerësoni se ai shpenzon këtu?

Gruevski: Duke folur nga perspektiva perëndimore, ato para nuk janë shumë, por në vendin tonë me dy milionë njerëz dhe pesë mijë dollarë GDP për kokë banori, janë shumë para. Gjashtë apo shtatë milionë dollarë në vit.

Gazeta Express: Ke tentuar ta kontaktosh dhe ta bisedosh me për t’i qartësuar gjerat? 

Gruevski: Në fakt, e kam takuar atë [Soros] rreth gjashtë vite më parë në Pragë, në një ngjarje që kishte të bënte me njerëz të komunitetit rom, e Maqedonia ishte vend që po merrte presidencën e…[4.39] para kësaj ishte Republika Çeke, Finlanda dhe më pas udhëheqësia jonë. Aty u takuan të gjithë shefat e delegacioneve dhe natyrisht ai është njëri nga donatorët për komunitetin rom, në këtë rast pata një takim 15 apo 20-minutesh me të, ku folëm për aktivitetet tona dhe të tij për komunitetin rom dhe për atë se çfarë do të mund të bëhej për ta në Evropë në të ardhmen. Në fund të diskutimit ai pyeti për çështjen e emrit [të Maqedonisë]. Aty kuptova se ai kishte shumë informata për këtë, dinte shumë detaje. Ai tha se Papandreu [ish kryeministri i Greqisë] nuk do të ishte kryeministër edhe për gjatë dhe se ne do të duhej ta shfrytëzonim këtë mundësi për të arritur një marrëveshje me të. Për fat të keq, qëndrimet e tij nuk ndryshonin shumë nga ato kryeministrave të tjerë, edhe pse ai dukej shumë më liberal. Mendimi i tij ishte se Papandreu ishte më i lehtë se të tjerët për të arritur marrëveshje. Ai përmendi shumë gjera të cilat më bën të mendoja se ai ishte shumë i informuar për detaje dhe ky ishte fundi i takimit sepse të gjitha delegacionet i shpenzuan 15 deri në 20 minuta, prandaj nuk kishim mundësi [të bisedonim] më shumë.

 

Gazeta Express: A mendoni se ai është prezent në Shqipëri si në Maqedoni?
Gruevski:
Për aq sa di unë, ai ka ndikim të fortë në Shqipëri. Nuk kam asgjë të keqe për të thënë kundër Fatos Nanon, për shembull, kam mendim pozitiv për këtë njeri, por natyrisht ai lejoi që partia e tij të ndikohej shumë nga Soros dhe mua s’do të me pëlqente ta shihja partinë time të ndikohej nga Soros.

Gazeta Express: Një pyetje për Kosovën. Partia juaj ishte ajo që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 kur e shpallem pavarësinë. Sa e vështirë ishte për ju që ta merrnit atë vendim?

Gruevski: Ishte e vështirë, ishte një kohë e vështirë duke pasur në mendje se shumica e qytetarëve maqedonas kanë marrëdhënie të mira me fqinjin tonë Serbinë, po ashtu duke ditur se e kemi ndarë vendin e njëjtë në të kaluarën, jetuam në të njëjtin vend dhe kishim marrëdhënie të ngushta mes qytetarëve të dy vendeve, po ashtu për shkak të ngjashmërive në gjuhë dhe se ne mund ta kuptojmë njëri-tjetrin shumë më lehtë. Po ashtu, kemi fenë e njëjtë dhe në atë periudhë kishim marrëdhënie të mira me Serbinë, asgjë keq nuk shkonte [mes nesh]. Duhej të bënim një zgjidhje. Ishte një hap i vështirë dhe shumë i rrezikshëm nga ana jonë për njohur Kosovën. Patëm bërë përgatitje të gjata dhe thella për këtë dhe në fund morëm vendimin. Serbët ishin të zemëruar dhe më vonë ata bënë disa hapa ndaj nesh sepse donin të na tregonin se ishin të zemëruar me neve. Madje edhe sot ne po shohim zemërim nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic. Ai ishte shumë i drejtpërdrejt duke thënë se Serbia bëri gabim që e njohu Maqedoninë në bazë të emrit kushtetues, për shkak se ne pranuam Kosovën dhe për shkak të votës sonë për Kosovën në UNESC. Po e citoj [Dacicin] ashtu siç tha: ‘ky është një gabim i madh’. Dua të them se disa politikanë në Serbi nuk mund ta kuptojnë se pse ne e bëmë këtë hap dhe pse vendosem ta pranonim Kosovën duke pasur në mendje të gjitha ato gjera që i përmenda më parë, marrëdhëniet e ngushta, bashkëpunimi i mirë politik, gjuha, feja dhe marrëdhëniet mes qytetarëve. Pra, ishte një hap i rrezikshëm që e bëmë në atë kohë.

Gazeta Express: Çfarë mendoni, marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të mira por jo aq të mira. Pse nuk ju shohim duke e vizituar Kosovën dhe politikanët tanë vendin tuaj. Ku kemi ngecur, çfarë nuk shkon mes dy vendeve tona?

Gruevski: Kam qenë një herë në Kosovë, s’mbaj në mend nëse ishte vizitë zyrtare, mendoj që jo. Mora pjesë në një ngjarje në Prishtinë para pesë apo gjashtë vite më parë, nuk jam tamam i sigurt. Hashim Thaci më vizitoi në disa raste para se të zgjidhej kryeministër dhe një herë pasi që u zgjodh kryeministër. Me kryeministrin e tanishëm, Isa Mustafan, u takova disa, në samite.

 

Gazeta Express: Ku mund të bashkëpunojmë më mirë? Cila është fusha që ju mendoni se Kosova dhe Maqedonia mund të bashkëpunojmë më mirë?

Gruevski: Bashkëpunimi mund të jetë shumë më i mirë por problemi kryesor qëndron në dy gjera. Një, disa media të cilat janë duke injektuar negativitet për ne; për partinë time; qeverinë time dhe për mua personalisht. Nuk ka asnjë argument serioz se unë jam negativ ndaj shqiptarëve. Nëse ulemi dhe flasim normal, mund ta shohim se është e kundërta.

Gazeta Express: Sa shqiptarë janë punësuar gjatë mandatit tuaj?

Gruevski: Nuk kemi [shifra] të sakta [për shqiptarët e punësuar]. Ne po punojmë që njerëzit të punësohen, por nuk e dimë se kush po punësohet sepse kompanitë private punësojnë, e ne i ndihmojmë dhe i inkurajojmë dhe u japim arsye kompanive private që të vijnë këtu dhe pas kësaj ne nuk jemi në gjendje që t’u themi atyre punësoni maqedonas dhe jo shqiptarë apo të kundërtën. Por, natyrisht nëse ato e hapin një fabrikë në Kiqevë shumë shqiptarë do të përfitojnë, e nëse hapet ndonjë në Tetovë te shqiptarët, atëherë shumica e të punësuarve do të jenë shqiptarë. Fabrika të tilla ndodhen në rajonin e Strugës dhe Ohrit, në Kërçovë, në Tetovë po ashtu një fabrikë shumë e madhe me dy mijë e 500 njerëz. Si dhe në Shkupë shumë prej tyre, veçanërisht në Zonën e Lirë Ekonomike. Po e presim një kompani globale shumë të njohur që të vijë shumë shpejt në Kumanovë, e cila do t’i punësojë në minimum një mijë punëtorë. Prandaj, në qytetet ku jetojnë shqiptarë, ne po tentojmë të gjejmë vende pune për të gjithë sepse, në radhë të parë, është e pamundur t’i përzgjedhësh njerëzit. Së dyti, edhe nëse dikush dëshiron që vetëm maqedonasit të punësohen dhe jo shqiptarët, ky do të ishte problem për ne [sepse] unë jam kryeministër i të gjithëve dhe ata njerëz janë njerëzit e mi. Ata vijnë nga një komunitet tjetër etnik dhe fetar por ata jetojnë në të njëjtin shtet me mua dhe presim nga unë diçka. Kanë apo s’kanë votuar për mua, në fund të fundit unë jam kryeministër i të gjithëve. Jam i obliguar që t’u ndihmojë të gjithëve.

Gazeta Express: Po ndërtoni një autostradë të quajtur “Arbër Xhaferi”. A keni plane që ta lidhni autostradën?

Gruevski: Po, është në planet tona dhe jemi duke i bërë përgatitjet. Në programin tonë të ri është evidente se ne po planifikojmë një magjistrale të tillë. Tashmë i kemi kontraktuar organizatat ndërkombëtare financiare, nëse vendosim të marrim hua, dhe potencialisht edhe kompanitë e partneritetit publiko-privat pas formimit të qeverisë, do të nisim diskutimet rreth detajeve dhe do të zgjedhim njërin nga modulet me borxh, hua, apo me partneritetin publiko-privat nëse ka interesim për këtë.

Gazeta Express: Të pëlqen emri që ia dhamë autostradës “Arbër Xhaferi” dhe çfarë mendimi keni për Xhaferin?

Gruevski: Është vendimi i vendit tuaj. S’shoh diçka të keqe këtu. E njihja atë personalisht dhe isha pjesë e qeverisë së ish presidentit të VMRO dhe ish kryeministrit Georgievskit kur ishim në koalicion me PDSH dhe Arbër Xhaferi ishte kryetar. E kam takuar shpesh dhe pasi që u bëra kryetar i partisë pata takim të veçantë me të. Drekuam në një restorant në Shkup dhe biseduam. Ishte periudha e hershme si kryeministër dhe aty ishte edhe Menduh Thaçi. Ishte shumë i mençur dhe mendjendritur dhe kishte fjalor shumë karakteristik me fjali shume filozofike. Jo shumë politikanë që i kam takuar kanë karakteristika të tilla.

Gazeta Express: A keni ndonjë pendim që kur të filloni mandatin e ri do ta vendoseni si prioritet pwr shkak se nuk e keni bërë në të kaluarën dhe doni ta bëni tani?

Gruevski: Një, është që të fus më shumë para në buxhet për NGO-t, për NGO-t e pavarura dhe të drejta e jo për NGO-t që kanë ideologji false. Ky ishte një gabim i madh se deri më tani kemi dhënë shuma simbolike parash për NGO-t. Shumë njerëz patën thënë se nuk ishte në rregull, por s’e kemi kuptuar këtë. Pas asaj nëpër të cilën kemi kaluar tani e kuptojmë NGO-t tona janë monopolizuar plotësisht nga një institut dhe nga një person. Duhet patjetër ta demonipolizojmë këtë sektor. Natyrisht se ekzistojnë shumë gjera që lidhen me projekte konkrete, si magjistralja dhe disa projekte të tjera. Dhe e dyta është që të jem më prezent në mesin e shqiptarëve, posaçërisht përmes mediave jo vetëm direkt. Kur shkoj të shqiptarët me presim shumë pozitivisht. Në shumë raste kam qenë në shumë qytete dhe fshatrat të ndryshme ku jetojnë ata, në kohërat të mira dhe kohërave të vështira për shqiptarët, si në Shipkovicë gjatë vërshimeve. Isha politikani i parë që shkoi në Shipkovicë për t’iu ndihmuar njerëzve. Së pari shkova në Maraviçica, Golavoniçica dhe Shipkovicë dhe dy ditë më vonë … në rajonin e njëjtë duke tentuar që direkt të jem në vendin ku qytetarët përballen me probleme dhe për ta parë drejtpërdrejt nëse institucionet tona janë duke bërë punën mirë dhe njerëzit nuk ishin të kënaqur prandaj menjëherë i thirra të gjithë, të gjitha funksionet e përfshira në aktivitete ndihmese dhe rikuperuese dhe [pastaj] ata ishin shumë, shumë të kënaqur.

Gazeta Express: Pra ju do të nisni një qasje të re duke qenë më afër shqiptarëve mandatin e ardhshëm?
Gruevski: Dua të them se nuk kam probleme me shqiptarët kur i takoj, por natyrisht që problemi kryesor janë mediat të cilat janë duke mashtruar. Ndoshta shkoj në një fshat një herë në vit sepse është e pamundur të jem në të gjitha fshatrat çdo ditë. Sot shkoj në një fshat, dy javë më vonë në një tjetër, dy javë më pas në një tjetër. Të themi i vizitoj 20 vende, apo 30, s’ka rëndësi. Por, mediat po flasim negativisht për ne çdo ditë dhe kur nuk përgjigjes njerëzit thonë ai ishte dhe ndihmoi por mbase ka diçka shkon keq me të. Duhet të jem më prezent [në media] dhe të japë mesazhe dhe t’i shpjegoj gjerat sepse njerëzit nuk janë budallenj dhe do të kuptojnë.

(Për arsye se intervista është bërë me shkrim, disa pyetje sensitive të cilat do të kërkonin interaktivitet më të madh – siç është rasti i Kumanovës – nuk janë bërë).