Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu së bashku me pronarin e kompanisë globale MABETEX, Bexhet Pacolli dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, nënshkruan sot Memorandumin për marrëveshje për bashkëpunim me investitorin strategjik MABETEX.

“Sot po shënojmë një kapitull historik për Komunën e Çairit, sepse pikërisht sot po ja hapim rrugën një investimi strategjik dhe shumë të rëndësishëm, ndërtimin e garazheve në kate dhe garazheve nëntokësore në më shumë lokacione të komunës sonë, ndërsa njëra nga ato lokacione është pikërisht këtu në Sheshin Skënderbeu”, ka thënë kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Ai ka theksuar se ajo që është po aq e rëndësishme se partner strategjik në ndërtimin e këtyre garazheve do të jetë ndërmarrja e njohur botërisht MABETEX e biznesmenit të njohur, Behxhet Pacollit. Ndërsa pesha e investimit është mbi 50 milionë euro

Garazhet do të jenë me kate, moderne dhe sipas stilit botëror.

“Garancia e këtyre garazheve është në duart e ndërmarrjes globale MABETEX e cila çdo kontratë, deri më tani e kreu me seriozitet shumë të madh, në kohë të paraparë, pa asnjë vonesë dhe në nivel të lartë të kualitetit. Kjo kompani deri më tani në gjithë botën është vlerësuar shume lartë, ndërsa për neve është privilegj që pikërisht MABETEX ta ketë në duar ndërtimin e garazheve”, ka përkujtuar Ganiu.

Ai gjithashtu ka shtuar se Komuna e Çairit është përkujdesur dhe vazhdon të përkujdeset vetëm për një gjë të vetme – mirëqenien e qytetarëve e në vazhdën e kësaj janë edhe ndërtimet e këtyre garazheve.

“Dhe ajo që më duhet patjetër ta theksoj se vetëm për këto katër vite ne kemi arritur të krijojmë afër 1500 vend-parkingje që nuk është numër aspak i vogël, ndërsa me ndërtimin e këtyre garazheve të reja problemi me vend-parkingjet do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, sepse do të ketë 3.000 vend-parkingje të reja Për në fund, dua të përkujtoj se këto garazhe ishin premtimi ynë dhe do të bëhen realizimi ynë”, ka përfunduar kreu i Çairit, Visar Ganiu.