“Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para”.

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u është falënderuar 350 deputetëve që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor të LDK-së.

Sipas tij, në Kuvend u demonstrua një kulturë demokratike, e muruar me durim dhe përpjekje të mëdha gjatë 30 vjetëve të zhvillimit dhe ekzistencës dhe veprimit të LDK-së, njofton Klan Kosova.

“E trashëguar dhe e kultivuar me kujdes dhe respekt nga Kryetari dhe Presidenti ynë Historik, Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e jonë e përbashkët”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Kuvendi ynë unifikoi diversitetin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emërues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu bashkë do të shkojmë drejt fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para”.

“E konsideroj veten të nderuar me besimin që ma dhanë delegatët e Kuvendit. Këtë besim e meritojnë dhe e kanë merituar shume veprimtarë dhe veprimtare të LDK-së. LDK ka njerëz të mrekullueshëm. Besimin tuaj e konsideroj përgjegjësi ndaj gjithë juve”.