Një sulm i dyfishtë ndaj parlamentit të Iranit dhe mauzoleumit të Ajatollah Khomeinit në kryeqytetin Teheran la sot të paktën 12 të vrarë dhe shumë të plagosur.

Pas sulmit në parlament një betejë me armë zjarri u dëgjua, ndërsa sulmuesi kamikaz i mauzoleumit kishte vdekur. Autoritetet iraniane thanë se kishin parandaluar një sulm të tretë. Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet, të cilat janë të parat në Iran, duke postuar pamje video nga brenda ndërtesës së parlamentit. Mediat iraniane raportonin se katër sulmuesit në ndërtesën e parlamentit ishin vrarë nga forcat e sigurisë. Ende nuk ishte qartësuar nëse 12 viktimat përfshinin dhe terroristët, ndërsa të plagosurit ishin rreth 40, sipas kreut të shërbimeve të emergjencës Pir Hossein Kolivand. Autoritetet mohonin të kishte pasur një situatë pengmarrje gjatë sulmeve.