Për presidentin, Gjorge Ivanov, protestuesit e iniciativa qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” për të protestuar kundër Platformës Shqiptare, janë “populli që e mbron shtetin”, ndërkaq protestuesit e “Revolucionit Laraman” të cilët u ngritën në këmbë për të mos u aboluar të dyshuarit për krime të rënda, “janë persona të cilët punojnë për interesat e huaja”, ky ishte vlerësimi i Presidentit Ivanov për protestat e organizuar vit më parë kundër vendimit të tij për të aboluar mbi 56 ish funksionarë të VMRO-DPMNE-së.

Për atë kemi Kushtetutë, ligje dhe institucione që gjithçka të zgjidhet në korniza të tyre. Pse rrugën? Kjo do të thotë se Kushtetuta nuk ekziston? Institucionet nuk ekzistojnë? Çdokush mund të dorëzojë akt, iniciativë, çdokush mund të ngrit çfarëdo në këtë shtet. Pse shfrytëzohet rruga? Kush e shfrytëzon rrugën? Ata që nuk i pranojnë institucionet dhe duan që Maqedoninë ta shkelin, ta bëjnë shtet jo-funksional që t’u arsyetojnë disa qëllime tjera të cilat thonë se Maqedonia nuk meriton të ketë shtet. A janë të vetëdijshëm se për çfarë interesash punojnë dhe qëllimet e kujt i realizojnë? Nuk gjykoj, them, të rinjtë lehtë mashtrohen, por ku është përgjegjësia e prindërve të tyre, miqve dhe të afërmve? – deklaroi kohë më parë Gjorge Ivanov, president i shtetit.

Ky qëndrim i Ivanovit në media është raportuar si një dëshmi shtesë se Presidenti qëndrimet e tija i plason në mënyrë selektive para opinionit të gjerë në Maqedoni dhe vulosë faktin që nuk është President i gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Ndryshe përkujtojmë se gjatë vitit të kaluar kur “Revolucionit Laraman” protestonte nëpër rrugët e qyteteve të Maqedonisë kundër vendimit skandaloz të presidentit për të aboluar 56 funksionarë të dyshuar, Ivanov e ka treguar qëndrimin e tij rreth kërkesave të tyre si dhe mënyrën se si protestojnë “Revolucioni Laraman”, duke e konsideruar si protestë që nuk ia dëshirojnë të mirën vendit.