Presidenti Gjorge Ivanov ju ka nisur një letër kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, sekretarit gjeneral të NATO-s Jens Stoltenberg dhe dy presidentëve, atij të SHBA-ve, Donald Tramp dhe të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, në të cilën është ankuar nga platforma për të cilën thotë se është përpiluar nën patronazh të Tiranës dhe me të njëjtën kushtëzojnë Qeverinë e Maqedonisë.
“Platforma është dokument paszgjedhor i miratuar në një shtet të huaj në kabinet të një burrështetasi të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë rrezikohet sovraniteti i dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Republikën e Maqedonisë në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë me të cilat do të rrezikohej karakteri unitar i shtetit. Platforma e cenon Marrëveshjen kornizë të Ohrit, që i rregullon marëdhëniet e bashkësive etnike me shtetin Republika e Maqedonisë dhe marëdhëniet e tyre të ndërsjella”, thuhet në letrën e Ivanovit.
Ivanov më tej thotë se mënyra se si është miratuar kjo platformë dhe deklaratat e përfaqësuesve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe rrezikojnë destabilizimin e Ballkanit. Ai ka kërkuar edhe nga katër liderët të cilëve ua ka drejtuar letrën, që ta dënojnë këtë platformë si dhe ndërhyrjen e shteteve të tjera në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga situata pa dalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në atë mënyrë do ti arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinos, para se gjithash reformat urgjente prioritare, stabilitetin politik, uljen e tensioneve ndëretnike dhe ndërpartiake në Republikën e Maqedonisë dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimeve euro atlantike. Në këtë kontekst, kërkojmë që me kujdes ta shqyrtoni realitetin me të cilin jemi ballafaquar dhe të angazhoheni që kjo platformë e dëmshme të hidhet publikisht dhe të dënohet nga e Bashkimit Evropian dhe NATO dhe vendet e tyre anëtare. Më tej, presim të dënoni edhe përzierjen flagrante në punet e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e dy fqinjëve të saj, aspirante për anëtarësim të plotë në BE”, thuhet në letrën e presidentit Ivanov drejtuar kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, sekretarit gjeneral të NATO-s Jens Stoltenberg , presidentit të SHBA-ve, Donald Tramp dhe të Turqisë Rexhep Taip Erdogan.Në të kundërtën Ivanov thotë se platforma e këtillë do të inkurajojë tentime të ngjashme edhe në rajone të tjera të Evropës me një realitet të ndërlikuar etnik, religjioz dhe gjuhësor. Kësaj letre ai ia ka bashkangjitur edhe platformën e përbashkët të partive shqiptare si dhe deklaratat e krerëve shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me këtë temë.
Arben Zeqiri /SHENJA/