Partia maqedonase e ekstremit të djathtë, Lëvizja Popullore për Maqedoni, ka njoftuar se do të vendosë shatorë para Parlamentit të Maqedonisë, me qëllim që protestat kundër “Platformës së Tiranës” të jenë 24 orëshe, shkruan Gazeta Lajm.

“Lëvizja Popullore për Maqedoninë ndan brengën me popullin se vizitat e shpeshtuara në vend nga politikanë të tanishë dhe të mëhershëm evropianë, nën kontroll të drejtpërdrejtë të ‘bishës’, mund ta thyejnë dhe t’ia ndërrojnë mendjen presidentit Ivanov që të japë mandatin për formimin e qeverisë së bazuar në platformën mbarëshqiptare për rrënimin e Maqedonisë dhemaqedonasve që është në kundërshtim me kushtetutën dhe vepër e dënueshme sipas ligjeve maqedonase.

Për këto shkaqe, LPM ndërmerr rol më aktiv duke vendosur shatorë para institucioneve që do të mbeten deri sa të hedhet poshtë platforma mbarëshqiptare për ridefinim të Maqedonisë dhe tërheqje të propozimit që Talat Xhaferi të jetë kryetar i Kuvendit, duke pas parasysh se bëhet fjalë për person, i cili sipas DSK-së pranë MPB-së është i involvuar në kurthin në Vejcë ku në mënyrë mizore u vranë tetë branitellë maqedonas në njërën prej masakrave më të përgjakshme dhe më brutale në historinë e re maqedonase”, thuhet në kumtesën e kësaj partie.