Hapja e  plagëve të vjetra dhe përzierja në punët e brendshme të vendeve mund t’i rrezikojë marrëdhëniet e mira fqinjësore, theksoi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov, në fjalimin me rastin e pritjes për anëtarët e korit diplomatik, të akredituar në Republikën e Maqedonisë, që u mbajt sonte në Strugë.

“Ne në Ballkan e ndjejmë mungesën e BE-së dhe të NATO-s, që mund ta rrezikojë stabilitetin e Ballkanit. Në periudhën e fundit dëgjoj retorikë dhe shikoj procedura të cilat të kujtojnë periudhën që mendonim se është larg nesh – periudhën e shpërbërjes së një shteti të përbashkët. Për një kohë të gjatë nuk i kam komentuar deklaratat dhe procedurat e disa politikanëve nga fqinjësia sepse besoj se  vetëm me injorimin e tyre mund të izolohen”, theksoi presidenti i RM-së.

Në fjalimin para ambasadorëve presidenti Ivanov i theksoi  përfitimet e modelit inkluziv demokratik të Maqedonisë dhe shtoi se Republika e Maqedonisë nuk ka turp dhe nuk ka si qëllim që ta shtypë traditën e saj multietnike, multireligjioze dhe multigjuhësore, për përkundrazi  të njëjtën e ka institucionalizuar.

“Prandaj disa prej liderëve të fqinjësisë i rekomandoj edhe ata të ballafaqohen me  të vërtetën e dallueshmërisë etnike, fetare edhe gjuhësore në shoqëritë e tyre. Do tu rekomandoja që të kujdesen më tepër për komunitetet etnike, fetare dhe gjuhësore që jetojnë në vendet e tyre, në pajtim me normat dhe standardet ndërkombëtare. Jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë në këtë plan me përvojat tona dhe mësimet e marra”, rekomandoi presidenti i Maqedonisë.

Ivanov rekomandoi  një pjesë të liderëve ballkanikë që  të përkushtohen në sfidat e tyre  të brendshme.

Ai shtoi se si rajon nuk kemi kohë që të merremi me retorikë retrograduese  dhe me hapa jokonstruktivë, por duhet së bashku të përkushtohemi për një ballafaqim të suksesshëm me të gjitha sfidat.

Ivanov nuk e komentoi krizën politike, vetëm shprehu pritje se partitë politike në negociatat post zgjedhore do të kujdesen për interesat shtetërore të RM-së dhe për interesat kombëtare.