Ivanovi ftoi VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në që të zgjasin dorën e pajtimit dhe të fokusohen në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe identitare që sipas tij, janë të rrezikuara nga faktorët e jashtëm. Ai u bëri thirrje të gjashtë partive politike që përfaqësohen në Kuvend për të nënshkruar deklaratë përkushtimi për agjendën euro-atlantike.

“Qëndrimi im është më se i qartë. Asnjëherë nuk do të pajtohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet binacional. Asnjëherë nuk do të pajtohem që Republika e Maqedonisë të jetë shtet federal. Maqedonia është shtet unitari dhe i barabartë për të gjithë qytetarët maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, romë, boshnjakë, të krishterë, musliman, çifutë dhe ateistë. Kjo na bën të ndryshëm nga të tjerët. Dëgjoj që kërkohet dygjuhësi në gjithë territorin e Maqedonisë. Kjo çështje është mbyllur me amendamentin 5 të Kushtetutës së vendit që rrodhi nga Marrëveshja e Ohrit, ku rregullohet çështja e gjuhës zyrtare në Maqedoni. Përdorimi zyrtar i cilësdo gjuhe në Maqedoni varet nga statistika, kurse mënyrë e vetme për të fituar statistikë reale është regjistrimi. Regjistrimi i fundit në Maqedoni ka qenë para plot 14 vitesh. Kjo është një periudhë shumë e gjatë për cilindo shtet. Pa regjistrim të ri të popullsisë, nuk mund të kërkohen të drejta që varen nga statistikat”, theksoi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.