Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov do të shpallë sërish amnisti për të gjithë protestuesit dhe huliganët që hynë në Kuvend dhe ushtruan terror ndaj deputetëve, mëson INA. Por, përveç kësaj, burime të afërta me VMRO-DPMNE theksojnë se pas këtij vendimi Ivanov do të jap dorëheqje, për të pamundësuar anulimin e këtij vendimi. Një gjë të tillë të mundshme e ka paralajmëruar edhe ish-kryetari i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski.
“Druaj se Ivanov që është aq poltron, para se të largohet nga funksioni do të falë të gjithë nga VMRO-DPMNE, përfshirë edhe huliganët në Kuvend dhe do të largohet nga detyra. Kjo do të thotë se kot humbën 3 vite dhe kot deputetët u rrahën”, theksoi Georgievski. 
Falje të tillë Ivanov bëri për rreth 50 veta, liderë partie, ministra dhe funksionarë të MPB e institucioneve të tjera, që ishin përfshirë në bisedat e përgjuara. Por, nga presioni i madh i brendshëm dhe i jashtëm, u detyrua që ta tërheqë amnisitinë.