Liderët e katër partive më të mëdha, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi nuk do të kenë duel televiziv gjatë fushatës parazgjedhore, transmeton Portalb.

Duele të tilla u anuluan për shkak se liderët ishin të stërngarkuar me fushatën parazgjedhore, së paku kështu qëndronte në kumtesat e partive.

Redaktorja e RTVM-së Santa Argirova për “Meta” pohoi se ftesën për debat televiziv nga katër liderët, vetëm Zaev e ka pranuar.

Edhe nga televizioni “Telma” kanë deklaruar se Gruevski e ka refuzuar ftesën me arsyetim se është i stërngarkuar në fushatë.

Në pyetjen e gazetarëve se a do të merr pjesë Gruevski në duel televiziv, Ivo Kotevski zëdhënës i partisë së VMRO-DPMNE-së ishte përgjigjur se “jo gjithçka që kërkon Zaev duhet ta pranojmë”, transmeton Portalb.

Debati i vetëm i katër partive politike ishte në televizionin Alsat-M, ku u paraqitën bartësit e listave për deputet në njësinë zgjedhore numër 1; Nikolla Popovski- VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski- LSDM, Artan Grubi- BDI dhe Idriz Orana- PDSH./Portalb