Shkruan: prof. Abdulla Mehmeti

(Në zgjedhjet presidenciale, vota e secilit qytetar ka peshë tepër të rëndë, sepse nuk zgjedhin roje të fushës, por president shteti, i cili nesë i veshur me pushtet dhe kompetenca, njeriun e ndershëm dhe të pafjshëm mund ta dënojë me burg të përjetshëm, ndërsa kriminelin ordiner ta amnestojë!)

Mediet në gjuhën shqipe, dhe jo vetëm ato, në debatin përfundimtar të dy kandidatëve për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore, para se t’u bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë për dalje në votime, apo t’u sugjerojnë se për cilin kandidat duhet dhe mund të votojnë, të dy kandidatëve duhet t’ua parashtrohen pyetje të njëjta dhe të presin përgjigje prej tyre, që t’i kuptojnë qytetarët shqiptarë qëndrimet e tyre para se të vendosin të votojnë, edhe atë:

1. Çfarë qëndrimi kanë ata për statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve, dhe meqë janë të dy kandidatët ekspertë të së drejtës kushtetues dhe të drejtës ndërkombëtare, të sqarojnë për opinionin se në cilin shtet tjetër demokratik të botës, një popull autokton që përbën 35-40% (qoftë edhe sa thonë statistikat zyrtare, mbi 25%) të popullsisë së përgjithshme të atij shteti, të trajtohet si pakicë kombëtare dhe pushteti ta joshë vetëm gjatë zgjedhjeve me premtime dhe të drejta të dozuara, sikur shqiptarët të jenë kolonizatorë të ardhur, jo në vatrat e tyre mijëvjeçare dhe në shtetin e tyre, të krijuar sipas rrethanave historike për dobinë e të gjithë banorëve të tij?

2. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë, secili prej tyre veçmas, për emërtimin në kushtetutë dhe ligj, të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve, jo si gjuhë shqipe, gjuhë amtare e një populli të tërë autokton?

3. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë në lidhje me të kufizimet ligjore për përdorimin e flamurit shqiptar, të cilin nuk mund ta përdorin lirisht shqiptarët në komunat e Maqedonisë Veriore, ku ata përbëjnë më pak se 50% të banorëve në ato komuna, apo në tërë territorin e shtetit, për të cilna shqiptarët kontribojnë dhe i paguajnë të gjitha taksat ndaj shtetit? Pse flamuri shqiptar është zvogëluar me ligj për 1/3 e tij në krahasim me flamurin e shtetit dhe flamujt tjerë? Apo ndoshta pse shqiptarët trajtohen si pakicë në këtë shtet, janë popull i rendit të dytë, janë të varur nga vullneti politik i popullit sundues dhe i pushtetit?!

4. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë për Himnin, Stemën, Flamurin e shtetit, të cilët duhet ta refletojnë realitetin etnik, të kaluarën historike të përbashkët, besimet fetare, kulturat dhe traditat, gjuhët e banorëve që e përbëjnë këtë shtet, e që janë mbi 29 bashkësi etnike të ndryshme?

5. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë ndaj parullave raciste kundër shqiptarëve, si: ,,Vdekje shqiptarëve”, ” Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj.?

6. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë për të kaluarën e vendit nën regjimin komunist jugosllav, shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga Maqedonia për në Turqi dhe vende të tjera, për gjenocidin, dhunën e terrorin vazhdueshëm ndaj shqiptarëve? A e shohin të arsyeshme që pushteti demokratik i këtij vendi sot, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, për një fillim të ri me perspektivë evropiane dhe qytetëruese në shtetin e përbashkët?

7. Çfarë mendojnë këta kandidatë në lidhje me diskriminimin e hapur të shqiptarëve, në frymën shoviniste dhe raciste, me mospërfshirjen e tyre në njësitet specila të ushtrisë dhe policisë së shtetit të përbashkët, kur shqiptarët e përbëjnë 1/3 e popullsisë së tij?

8. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë për sjelljen e egër të derisotme të pushtetit ndaj shqiptarëve, me montimin e shumë prceseve politike dhe ndërmarrjen shumë ekspeditave policore e ushtarke për ndëshkimin e shqiptarëve dhe shkatërrimin e venbanimeve të tyre, si dhe për numrin e madh të të burgosurve shqiptarë me motive politike, që nga viti 1990 e deri para pak viteve?

9. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë në lidhje me shpërnguljen e madhe të popullsisë nga vendi, sidomos të rinisë, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, dhe cilat janë masat e ngutshme, sipas tyre, që duhet t’i ndërmerr pushteti sa më parë të jetë e mundur?

10. Çfarë qëndrimi kanë kandidatët në lidhje me nevojën dhe mundësinë e dhënies së llogarisë, bartjen e përgjgjësisë, kthimin apo konfiskimin e pasurisë së vjedhur të shtetit dhe të qytetarëve nga ish politikanët dhe pushtetarët e vendit gjatë 28 viteve të kaluara, e cila sipas disa përllogaritjeve arrin shumën prej mbi 12 miliardë euro?

Etj. etj…

(1 maj 2019)