366 – Një numër i madh forcash të fisit Alemanni kalojnë lumin e ngrirë Rhein duke pushtuar territore të perandorisë romake. Alemanni (Alamani) ishin një konfederatë fisesh gjermanike në pjesën e sipërme të lumit Rhein. Përmendur së pari nga Romakët në vitin 213, Alemanni kishin filluar të përhapeshin që në vitet 260, duke u shtrirë nga kufijtë e Ilirisë deri në rajonet e Zvicrës veriore, ku çuan gjuhën gjermane që flitet atje edhe sot.

1492 – Ripushtimi i Emiratit të Granadës: Fortesa e fundit e mbajtur nga Morët në Spanjë, dorëzohet. Një ndihmë e vetme dhe e kufizuar erdhi nga osmanët në Afrikën e Veriut, por pa efekt. Nëpërmjet Traktatit të Granadës, popullsive myslimane dhe hebraike u jepeshin garanci për mbrojtje dhe të drejta, por këto nuk u respektuan.

1788 – SHBA: Xhorxhia bëhet shteti i katërt që ratifikon Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Provinca e Xhorxhias ishte një nga trembëdhjetë kolonitë që ngriti krye kundër sundimit britanik në Revolucionin Amerikan duke nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë 1776.

1839 – Louis Daguerre, pioner francez i fotografisë, është i pari që realizon fotografimin e Hënës. Da Guerre ( 1787 – 1851) ishte piktor dhe fizikan i njohur për shpikjen e procesit të fotografimit të portretit. Ai u bë i njohur si një nga etërit e fotografisë. Edhe pse i famshëm për kontributet e tij në fotografi, Da Guerre ishte gjithashtu një piktor i arrirë dhe zhvillues i teatrit diorama (3-D).

1942 – Në Uashington, Shtëpia e Bardhë njofton se Pakti kundër Fuqive të Boshtit ishte nënshkruar nga 26 vende. Por as Etiopia dhe as Shqipëria, të pushtuara nga Italia anëtare e Boshtit, nuk ishin ftuar për të nënshkruar dokumentin. Presidenti Ruzvelt, thuhet se iu drejtua Çurçillit: “Winston, kemi harruar Zogun”. Megjithatë, mbreti Zog nuk vonoi, dhe i telegrafoi Ruzveltit se Shqipëria bashkohet me Deklaratën e Washingtonit pa asnjë mëdyshje

1946 – Shqipëri: Një muaj pasi Fronti Demokratik mori kontrollin e Asamblesë së re Kombëtare, qeveria komuniste shpalli jashtligjësimin e monarkisë. Kështu, mbreti Zog u shkarkua zyrtarisht de-jure; atij dhe trashëgimtarëve iu hoqën të gjitha të drejtat dhe pronat; dhe u ndalohej “përgjithmonë” kthimi në territorin e Shqipërisë.

1981- Policia britanike arrestoi vrasësin serial Perter Sutcliffe nën akuzën e vrasjes së 13 prostitutave.