Rritje të vranësirave, ulje të temperaturave, shi i rrëmbyeshëm, breshër dhe erë e fuqishme, do të mbizotërojnë në Maqedoni gjatë javës së ardhshme. Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, thonë se gjatë ditës së nesërme në orët e paradites do të mbizotërojë mot me diell dhe me vranësira të ndryshueshme, ndërkohë që në orët e pasdites vranësirat do të rriten dhe do të shoqërohen me shi lokal të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fuqishme. Sipas meteorologes Dushanka Tanushevska, në disa vende sasia e të reshurave do të jetë 30 litra në një metër katrorë.

“Në disa vende do të ketë edhe paraqitje të breshrit, veçanërisht në pjesët jugore të vendit, ku pritet të ketë reshje mbi 30 litra në metër katror. Kjo sasi pritet të arrihet në pjesët jugperëndimore të vendit. Gjatë ditës do të fryjë erë e fuqishme nga drejtimi verior dhe veriperëndimor herë pas here do të jetë akoma më I fuqishëm. Pra, gjatë ditës së nesërme nuk përjashtohet mundësia për paraqitje të breshrit”, tha meteorologia Dushanka Tanushevska.

Mot i ngjashëm pritet edhe në ditët në vijim. Në fillim të javës së ardhshme moti do të jetë i ndryshueshëm me intensitet më të ulët të reshjeve të shiut, ndërkohë prej ditës së mërkurë pritet përsëri shi i rrëmbyeshëm.

“Ditët në vijim, gjegjësisht të hënën, do të ketë mot të ndryshueshëm me reshje lokale të shiut, por me intensitet më të ulët. Të mërkurën dhe të enjten, do të ketë përsëri vransira jostabile me shi të rrëmbyeshëm, bubullima  dhe me erë të përforcuar. Nëpër disa vende do të ketë kushte që gjendja e motit, apo reshjet të jenë në formë të motit të keq, me shi të rrëmbyeshëm, breshër dhe erë të fuqishme”, thekson Tanushevska.

Temperaturat deri të mërkurën do të jenë në rënie, ndërkohë që nga e mërkura priten rritje të temperaturave. Stabilizim të motit pritet nga e premtja e javës së ardhshme. /SHENJA/

 

AlbPortali: