Historia e dhimbshme e shqiptarëve të Maqedonisë mund të shihet në Manastir. Aty sheh gjurmë qindravjeçare të civilizimit ilir e edhe të pasardhësve të tyre, shqiptarëve, por rrallë ndokund mund të dëgjosh të flitet shqip.

Brenda qytetit ndodhet shtëpia ku ka lindur alfabeti i shqiptarëve, e në periferi të tij janë hapur themelet e Heraclea Lyncestis, qytet antik i ndodhur në Gadishullin Ilirik, shkruan sot “Koha Ditore”. Maqedonasit kanë tjetërsuar historinë e këtij qyteti, ndërsa jo rrallëherë u nënshtrohet sulmeve godina ku është mbajtur Kongresi i Manastirit, në katin përdhes të së cilës shiten edhe pllaka qeramike, ani pse ajo ka statusin e muzeut shtetëror.

Historia ka qenë e pamëshirshme për shqiptarët që jetojnë në kufirin lindor të Maqedonisë, veçmas të Manastirit, Prilepit e Velesit. Ata janë më të vuajturit e më të nënshtruarit në gjithë territorin e këtij shteti.

Vetëm një shekull më parë, në Manastir shqiptarët përbënin shumicën absolute. Duke qenë banorë të kryeqendrës së njërit prej katër vilajeteve autonome shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, iniciuan unifikimin e alfabetit dhe hapën shumë shkolla e shoqëri kulturore. Aty ishin themeluar edhe çetat e para kryengritëse për çlirimin e Shqipërisë dhe për pavarësinë e saj.