Ishte 13 marsi i vitit 2001, kur tre grupe të U.Ç.Kombëtare me nga 11-12 veta u ngjitën rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike. Kjo kala e ndërtuar nga Ilirët, stërgjyshërit tanë ka shërbyer si një qëndresë e pamposhtur gjatë sulmeve të pushtuesve të ndryshëm të tokës arbërore.

Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala dhe udhëhiqej nga Izair Samiu-Baci. Ndërsa grupi që udhëhiqej nga Daut Rexhepi-Leka, u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll.

Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i udhëhequr nga Hasim Bajrami-Puçi, u përqendruar në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë Ilire të Tetovës. Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do luante një rol të rëndësishëm.

Këta tre grupe me nga 11-12 bijë të kombit shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 mars 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej kudo.

Atë paradite të 14 Marsit, do të luftohej rreth 60 minuta kundër forcave ushtarake dhe policore sllavo-maqedonase të cilët lanë pas 15 makina të djegura, midis tyre edhe një kombi-buz.

Të tmerruar nga dëmet e mëdha dhe humbjet në njerëz e mjete ushtarake vetëm në një orë luftime forcat ushtarake-policore pasdite filluan granatimet duke qëlluar nga distanca e largëta, nga qyteti i Tetovës. Frika e madhe që kaptoj radhët armike bëri që të mos qëllonin nga afërsia Kalanë, por nga qyteti duke shfrytëzuar si mur të gjallë shqiptarët.

Këto luftime të ashpra të rifilluara pasdite zgjatën deri vonë në mesnatë. Jehona e luftimeve bëri që trimave të Kalasë, siç njihen ata 30 burra që nisën luftën e 14 Marsit, tu bashkëngjiten dhjetëra djem e vajza shqiptare duke veshur uniformën e UÇK për bashkimin kombëtar me mëmën Shqipëri.

Në zemrat dhe mendjet e tyre ekzistonte vetëm një dëshirë, një mendim, luftë kundër pushtuesve të tokave shqiptare, për të çliruar njëherë e përgjithmonë tokat arbërore, për tu bashkuar me trungun nënë.

Në të gdhirë të 15 Marsit, filluan luftime shumë të ashpra, forcave armike u kishin ardhur në ndihmë qindra ushtarë dhe policë nga anë të ndryshme të Maqedonisë. I gjithë arsenali ushtarak-policorë i Republikës FYROM ishte përqendruar në Tetovë dhe rrethinat e saj.

Qëllimi dhe urdhri që kishin marrë këto forca me armatim të rëndë ishte që me çdo kusht të merrej Kalaja e Tetovës, por djemtë e shqipes krenare kishin vendosur që mos të dorëzoheshin.

Ata ishin betuar se do të vdisnin në emër të Flamurit Shqiptar, në emër të Bashkimit Kombëtar.

Atë ditë, ra heroikisht dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Servet Ferati nga fshati Llacë. Djali që ju përgjigj thirrjes për liri do të mbetet përgjithmonë në Kalanë e Tetovës si simboli i mbrojtjes të Kalasë. Trupi i tij u varros me nderime ushtarake nga pjesëtarët e UÇK.

Teuta Kamberi- Llalla
Ish-pjesëtare e UÇK-2001