Njerëz të dobët, të pafytyrë, njerëz të afërt me Sulejman Rexhepin, njerëz që ose i kanë shërbyer ose i kanë ndejtur urt para këmbëve – të gjithë këta na propozohen për kryetar të BFI-së. Po kush e meriton që qysh tani ta marrim dhe me tekbire ta nisim për në krye të vendit

Mulla Nazmi ef. Jashari

Kolegët e mi, hoxhallarët, imamët dhe, të gjithë ata persona që i janë përkushtuar shërbimit ndaj fesë islame, i ftoj që një herë në jetë të jemi të sinqertë me vetëveten dhe me xhematin tonë. Të jemi të guximshëm duke i shikuar faktet dhe argumentet në sy dhe, po kaq të guximshëm të jemi në përballje me të vërtetën: kush duhet të naprijë në të ardhmen në krye të BFI-së!
Po propozohen lloj-lloj emrash, natyrisht, të personaliteteve të ndryshme, të respektuar e shumë të mirë, emra hoxhallarësh e profesorësh, nga vendi e nga jashtë, të vlerësuar si jashtëzakonisht teologë të mirë. Askush nuk i mohon këto vlerësime por, të mirët i duhen secili vendit të vet, aty ku shërben le të vazhdojë të jetë i mirë dhe, edhe më i mirë. Le ta vazhdojë karrierën e vet duke qenë i mirë aty ku është.
Të gjithë këta, tash e pesë vjet, kanë pasur mundësinë, guximin dhe lirinë e plotë që, qoftë vetëm një herë ta ngrisin zërin kundër Sulejman Rexhepit dhe t’ia ndalin hëzin në shkatërrim të vlerave islame dhe të BFI-së. Por, jo, që të gjithë ata (përfshirë edhe mua) nuk e thamë qoftë një fjalë kundër Sulejman Rexhepit.
Është një Lëvizje Myslimane për Reforma në BFI, e cila, tash e pesë vite, natë e ditë, ka punuar dhe na i ka çelu sytë për të marrë vesh se cilin e kemi pasur në krye të BFI-së duke na kequdhëhequr që të gjithëve. Pesë vite me radhë, mijëra shkrime e publikime, mijëra orë takime e sensibilizime, biendje e ndërgjegjësim, si faktorin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm, për atë se kush po na udheheq dhe cilat janë rreziqet dhe pasojat nga ky njeri. Ne, hoxhallarët, si brenda ashtu edhe jashtë, i kemi bërë temena Sulejman Rexhepit, do me thënë se jemi pajtuar me të gjitha punët, me të mirat dhe të këqijat e Sulejman Rexhepit. Nga këtu, vallahi nuk kemi fytyrë që të shprehim orekse që të jemi pasues të Sulejman Rexhepit?!
Dihet kush sja ka ndal asnjë ditë të lume, po dihet edhe kuj ia kishte frikën Mulla Sula, a nuk detyroi njerëz duke i mashtru me punësime vetëm e vetëm t’i largojë nga fushata që udhëhiqej nga Afrim Tahiri. Opozita është gjithmonë ajo lëvizje që e kontrollon pushtetin, që e kritikon dhe që zhvillon luftë për ta përmbysur atë pushtet të papërgjegjshëm dhe për ta marrur drejtimin, me qëllim për ta shpëtuar shoqërinë nga keqeverisja. Ne të gjithë i kemi ndejtur urt Sulejman Rexhepit, kemi qenë të kënaqur me drejtimin e tij dhe, sikur mos ta përmbyste Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, ne që të gjithë do të vazhonim që me heshtjen tonë ta përkrahim Sulejman Rexhepin. Tani kur u përmbys na u shtuan apetitet! Këtu nuk jemi të sinqertë! Me heshtjen tonë, që të gjithë jemi të etiketuar si përkrahës të Sulejman Rexhepit, ndaj dhe pa të drejtë morale që tani të propozohemi “si shpëtimtarë” të BFI-së! Me heshtjen tonë, ne jemi po aq të njollosur sa edhe vetë Sulejman Rexhepi!
Por, kush është ai që duhet të na prijë? Natyrisht, udhëheqësi i opozitës që pa rreshtur e mposhti Sulejman Rexhepin – drejtuesi i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, Shejh Afrim ef. Tahiri!
I vetmi kandidat meritor për të na drejtuar ne myslinanët e Maqedonisë së Veriut, H. Afrim ef. Tahiri, ka pasur program, ka pasur strategji, ka pasur projekt dhe Platformë se si në mënyrë të moralshme, të drejtë dhe legjitime ta zhveshë nga petku i “devotshmërisë” Sulejman Rexhepin dhe ta detyrojë të largohet nga Institucioni të cilin e kishte uzurpuar dhe po e falimentonte ditë e ngapak, deri në shkatërrim! I vetmi është Haxhi Afrim efeni Tahiri i cili na ka ofruar Projekt duke na e zbërthyer çdo ditë se si do të duhet të reformohet dhe të duket BFI-ja në të ardhshmen. Dhe, ne, të gjithë teologët në heshtje jemi pajtuar me të, kurrë nuk e kemi kundërshtuar në asnjë fjali dhe, të bëhemi të sinqertë e ta pranojmë, jemi ndjerë krenar që ka kuadro të tillë ndër myslimanët tanë! Cilindo hoxhë apo teolog më të mirë në botë, i cili nuk ka afinitete drejtuese të institucioneve, e sjellim në krye të BFI-së, atë hoxhë vetëm sa do ta marrim më qafë, do ta ngatërrojmë dhe do ta shpallim udhëheqësin më të dobët në botë!
Asnjë nga teologët e vendit nuk mund ta thotë qoftë vetëm një fjalë për keqmenaxhim të BFI-së nga ana e Afrim Tahirit derisa ishte gati një dekadë sekretar gjeneral i BFI-së! Le ta thotë dikush vetëm një fjalë se deri sa e drejtoi opozitën kundër Sulejman Rexhepit, e dëmtoi interesin islam qoftë vetëm një sekond! Nuk mund të flasë askush, sepse do të na ndëshkone Zoti Fuqiplotë.
Prandaj, unë, si ndër hoxhallarët e vjetër të këtij vendi, do të jem shumë i lumtur në ditën kur do të kuptoja se Institucioni im nisi të drejtohet nga H. Afrim ef. Tahiri.