Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbrëmë ndau çmimet për Sipërmarrësin e vitit 2016, i cili këtë vit shënoi jubileun dhjetëvjeçar, në të cilin u shpallën sipërmarrësit më të suksesshëm nga ndërmarrjet mikro dhe të vogla në Maqedoni.

OEMVP manifestimin e organizoi në bashkëpunim me Fondacionin Zhvillimor të Maqedonisë për Ndërmarrjet (FZHMN) dhe Lidhjen e Odave Ekonomike (LOE). Bashkëorganizator ishte Qendra Kombëtare për Zhvillim të Inovacioneve dhe Mësimit Sipërmarrës (QKZHIMS), ndërsa mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë.

“Në kategorinë mikro kompani çmimi i parë shkoi për Hotel Scardus  nga Tetova dhe pronarin Hashim Hasani, kompani anëtare e OEMVP-së, çmimin e dytë e fitoi kompania Çoko Avijators nga Shkupi dhe Biljana Kuklovski, ndërsa në kategorinë kompani të vogla çmimi i parë u ndajtë për kompaninë Sofa Studio nga Shkupi dhe pronarin Dean Badarevski, ndërsa çmimi i dytë për kompaninë EvroSurovina PA nga Manastiri dhe Vasko Bërdarovski.

“Jemi këtu të përkrahim në formë simbolike dhe të promovojmë ato sipërmarrës që shënuan vitin 2016, sepse suksesi i tyre është motivim për sipërmarrësit e rinj dhe sipërmarrësinë e vendit në përgjithësi, për gjithë ato që kanë ide mirëpo ende kanë dilema nëse ja vlen të investohet në vend. Së pari, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për misionin dhe rolin që Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore tregoi në këto 10 vite të kaluara, duke qenë një zë dinjitoz i sipërmarrsisë pranë qeverisë, në mbrojtjen e interesave të biznesit dhe njëkohësisht si një partner konstruktiv i qeverisë në sygjerimet dhe idetë e vlefshme për përmirësimin e reformave, në kuadër të klimës së biznesit dhe më gjerë”, theksoi Kryetari Nebi Hoxha në fjalimin e tij të rastit.

Të dhënat sigurohen nga Regjistri Qëndror i RM, ndërsa përzgjedhja bëhet edhe përmes një pyetësori të plotësuar nga kompanitë, analizave në terren dhe bodimit përkatës, sipas kritereve të vendosura paraprakisht.