Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-së kanë filluar takimet duke mos dhënë asnjë detaj nëse bëhet fjalë për negociata serioze për Qeverinë e re të Maqedonisë. Subjektet vazhdojnë të mbeten në pozicionet e tyre fillestare, së paku kështu konfirmojnë nga VMRO-DPMNE, ndërkaq BDI nuk zbulon detaje nga takimet për formimin e Qeverisë, përfshi këtu edhe takimin me ldierin e LSDM-së, Zoran Zaev, shkruan Portalb.mk.

BDI-ja në kushtet e saj parasheh vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Publike Speciale dhe dygjuhësinë në tërë territorin, derisa VMRO-DPMNE është kategorike se këto kushte janë të papranueshme.

“Pozicionet tona për ato çështje mbetën të pandryshueshme. Sot, përsëri do të bisedojmë për atë temë, por nuk besoj se komiteti ekzekutiv do t’i ndryshojë pozicionet që tanimë i ka konstatuar”, tha Milloshoski, VMRO-DPMNE.

“VMRO-DPMNE nuk do të lejojë vazhdimin e mandatit të PSP-së, ka kohë mjaftueshme, kjo situatë hibride duhet të bëhet pjesë e historisë, na duhen institucione sistematike, dhe jo hibride”, pat deklaruar Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE.

Nga Lëvizja Besa vlerësojnë se është herët për tu deklaruar në lidhje me bisedimet për Qverinë, në mes VMRO-së dhe BDI-së.

“Nuk kemi çka të komentojmë. Janë takime të mandatarit me miqtë e tij. Të presim të informojnë zyrtarisht se çka është biseduar e çfarë është vendosur e pastaj mund të deklarohemi”, theksoi për Portalb zëdhënësi i partisë, Orhan Murtezani.

Nga Aleanca për Shqiptarët nuk janë prononcuar për temën në fjalë.

Kadriu: Bisedimet nuk do të kenë sukses

Profesori universitar Osman Kadriu mendon se nuk do të kenë suksese këto bisedime, duke filluar nga parimi kryesorë, a parimi buron nga votuesit e qytetarëve- që të ketë ndryshime.

“Qasja që kanë palët- VMRO dhe BDI, rreth çështjeve kyçe që kanë të bëjnë me reformat në sistemin juridik të Maqedonisë, mendoj se nuk do të arrihet marrëveshje. Edhe nëse lëshon pe për një moment Gruevski, do të jetë mashtrim dhe nuk do t’i realizon nevojat që janë imperativ për Maqedoninë. Mendoj se në këto bisedime nuk do të ketë harmonizim të qëndrimeve. VMRO nuk është e gatshme për ndryshime në Qeveri”, deklaroi për Portalb Kadriu.

Prokurorja speciale publike, Katica Janeva dhe ekipi i saj kanë edhe rreth gjashtë muaj (d.m.th. deri më 4 qershor, gjegjësisht 30 qershor) për hapjen e hetimeve dhe për dorëzimin e aktakuzave për rastet që kanë të bëjnë  dhe dalin nga “bombat” e LSDM-së, gjegjësisht ndjekjen e paligjshme të komunikimeve telefonike, njofton Portalb.mk.

Kjo del nga ligji aktual për PSP-në, në të cilin shkruhet se PSP ka 18 muaj “nga marrja e lëndëve” për hapje ose mbyllje të hetimeve dhe të akuzave. Në fakt, PSP lëndët dhe materialet nga Prokuroria Publike dhe nga LSDM i ka marrë dy herë, njëherë më 4 dhjetor dhe njëherë më 30 dhjetor./Portalb.mk