Edhe pse Kuvendi nuk punon, deputetët nga përbërja e re parlamentare e Kuvendit të Maqedonisë tani 72 ditë marrin paga të rregullta edhe pse nuk shkojnë në punë.

“Ashtu u takon. Një pjesë e atyre kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre paraprake të punës dhe nuk mund t’i lëmë pa të ardhura”, deklaroi Todor Pendarov, këshilltar për marrëdhënie me opinionin në Kuvendin e Maqedonisë, në pyetjen e gazetarëve nëse deputetët marrin rroga rregullisht.

Përndryshe, rroga e deputetëve është tre herë e gjysmë më e lartë se rroga mesatare në Maqedoni, gjegjësisht u llogaritet me koeficient 3,5-sqaron ai.

Sipas informatës së fundit të Entit Shtetëror për Statistika, në dhjetor vitin e kaluar, rroga mesatare ka qenë 23.457 denarë. Nga kjo del se deputetët në muaj marrin minimum 82.100 denarë, gjegjësisht 1.335 euro, ku llogaritet edhe puna e kaluar, dikujt plus 2% e dikujt 10% më shumë.