Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që administrata e tij të zbatojë ligjet e vendit për emigracionin me më shumë agresivitet, duke kërkuar përdorimin e të gjithë fuqisë së qeverisë federale për të gjetur, arrestuar dhe deportuar emigrantët që ndodhen në SHBA në mënyrë të paligjshme, pavarësisht nëse kanë kryer apo jo krime të rënda.

Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, në detyrë prej gati 8 vitesh, ka një ekip njerëzish që e ndihmon apo këshillon në marrjen e çdo vendimi. Surprizë ishte se në këtë grup është edhe një shqiptare, është gruaja e vetme në kabinetin e tij dhe quhet Luljeta Qufliju. Ajo ka përvojë të gjatë në institucionet shtetërore dhe OJQ-të.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare tregojnë se është kërkuar që të publikohen krimet e bëra nga imigrantët pa dokumente, t’u heqë të drejtën e mbrojtjes së privatësisë emigrantëve, të listojë çdo polic lokal si forcë të zbatimit të ligjit, të ngrejë objekte të reja paraburgimi; të dekurajojë azilkërkuesit dhe të përshpejtojë dëbimet, sipas “New York Times”, raporton Panorama.

Politikat e reja të zbatimit të ligjit vënë në praktikë ambiciet e Trump-it për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, me të njëjtat premtime që ai ka bërë për këtë çështje edhe gjatë fushatës elektorale.

Por sipas “NY Times”, studimet tregojnë nivele më të ulëta të krimit tek emigrantët sesa tek amerikanët e lindur. Politikat e reja të emigracionit të Presidentit ka gjasa të mbështeten nga zyrtarë të zbatimit të ligjit në të gjithë vendin, pasi ata kanë kërkuar goditje të ashpër për emigrantët e paligjshëm, por mund të mirëpriten edhe nga disa republikanë në Kongres.

Politikat e reja duken si një refuzim i përpjekjeve, nganjëherë më të kufizuara, nga ishpresidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush, por edhe paraardhësit e tyre, që kërkonin të balanconin mbrojtjen e kufijve të vendit me limitet fiskale, logjistike dhe humanitare në ushtrimin e ligjeve miratuar nga Kongresi. Impakti që do të ketë vendimi i Trump ende nuk dihet.

Procesi i dëbimit pritet të zgjasë një muaj. Tani për tani, të ashtuquajturit ëndërrimtarë, të cilët kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara me fëmijë të vegjël, nuk do të jenë në shënjestër, por do të kthehen në të tillë në rast se kryejnë krime, sipas zyrtarëve. Presidenti Trump nuk ka deklaruar se ku do t’i marrë miliarda dollarët e nevojshme për të paguar mijëra agjentët e rinj të kontrollit kufitar, ndërtimin e objekteve të reja të paraburgimit për emigrantët e paautorizuar dhe një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën.

“Mesazhi është: Ligji i emigracionit është kthyer”, tha Mark Krikorian, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studimet e Imigracionit, e cila mbështet imigracionin e kufizuar. “Shkelja e ligjit të emigracionit nuk është më një shkelje e dorës së dytë”. Por, avokatët për emigrantët thanë se politikat e reja ende mund të kundërshtohen në gjykatë.

Gjykatat në Ilinois, Oregon, Pensilvani dhe disa shtete të tjera e kanë kundërshtuar pushtetin e dhënë për autoritetet lokale dhe shtetërore të zbatimit të ligjit, që të mbajnë emigrantët deri në 48 orë përtej lirimit të tyre të planifikuar nga paraburgimi, me kërkesë të autoriteteve federale nën një program të njohur si “Secure Communities”, që po rigjallërohet me marrjen e pushtetit nga Trump-i.