Aleksandar Jablanoviq, i cili në zgjedhjet e 11 qershorit garon jashtë Listës Serbe, në një intervistë për KoSSve, akuzon këta të fundit, si bashkëpunëtorë të Hashim Thaçit, të cilët sipas tij, ishin të gatshëm të votonin Ushtrinë e Kosovës.

“Vetëm Lista Serbe është ajo e cila është e gatshme të votojë për Ushtrinë e Kosovës. Pjesë e atyre bisedimeve ishin Dalibor Jevtiq, Branimir Stojavnoviq dhe Ljubomir Mariq dhe për këtë ekziston procesverbali. Kush është serbi i Thaçit mund të vërtetohet në evidencën e Kuvendit të Kosovës në lidhje me atë se kush ka votuar për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës. Ata këtë e kanë bërë sipas urdhrave të ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’ dhe të Marko Gjuriqit”, ka thënë lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës Aleksandar Jablanoviq, i cili me partinë e vet do të merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 11 qershor, transmeton gazetametro.net.

Në pyetje të gazetarit të KoSSev se a e ka këtë dokument, ai përgjigjet se e posedon, porse “ju si gazetar mund t’iu drejtoheni Kuvendit të Kosovës dhe mund ta merrni kopijen e procesverbalit”.

Nga ana tjetër Dalibor Jevtiq nga Lista serbe, i demanton pretendimet e Jablanoviqit duke theksuar se Jablanoviq, “siç dihet, është i prirur për mashtrime”, dhe se pretendimet e tij “nuk meritojnë koment”, por “pasi që e respekton publikun i cili ka të drejtë në përgjigje”, i bënë thirrje Jablanoviqit që të publikojë dokumentin e Kuvendit të Kosovës në të cilin thirret.

“Votimi për zgjedhje të presidentit është i fshehët. Nuk ekziston asgjë që quhet ‘procesverbal’ se kush dhe si ka votuar. Jablanoviq këtë e di apo nuk e di, prandaj manipulon, apo edhe një herë konfirmon mosdijen e vet politike. Mundohem që mos të hyjë në këtë baltë të tyre”, ka thënë Jevtiq.