Deri tani, konceptet e jahteve luksoze kanë ofruar modele të jashtëzakonshme, në formë mjelme, apo peshkaqeni, por studio e dizajnit “Lazzarini” ka prezantuar së fundmi një prej projekteve më të veçanta të para ndonjëherë.

Kompania italiane, me seli në Romë, dëshiron të prodhojë një superjaht luksoz, 69-metra të gjatë, me një “vrimë gjigante” në mes. Koncepti, i quajtur “Forma”, parashikon që jahti të lëvizë vetëm me energji të pastër. Ai është konceptuar të jetë një superstrukturë me një siluetë tepër të veçantë.

Dizajni është sa i thjeshtë, aq madhështor. Në pjesën e sipërme, është menduar të vendoset një pishinë me dysheme prej xhami, që do t’i lejojë notarët të kenë një pamje magjike të pjesës së poshtme.

Vlera për prodhimin këtij jahti është parashikuar të jetë 69 milionë euro, ose 80 milionë dollarë. Ai do të lëvizë me një motor me hidrogjen, ndërsa mund të arrijë një shpejtësi prej 24 nyjesh detare, ose mbi 44 km/h. Në çati do të ketë të instaluar panele diellorë, për të karikuar të gjitha sistemet.

Nga momenti që një prodhues vendos të vërë në zbatim projektin, do të duhen 20 muaj për ta sjellë në jetë jahtin, sipas “Lazzarini”.