Kryetari i Komunës Karposh, Stevço Jakimovski, në llogarinë e tij në Facebook është deklaruar kundër ndërtimit të kampeve për refugjatët nëpër komunat e Maqedonisë. Ai shkruan se emigrantët duhet t’i pranojnë ato vende që i bombardojnë, në këtë rast SHBA-të dhe Rusia.

“Maqedonia nuk është shtet që bombardon ose merr pjesë në bombardin e Sirisë dhe për këtë arsye nuk jemi të detyruar të pranojmë emigrantë. Kush i bombardon, ai le t’i pranojë, e në këtë rast janë SHBA-të dhe Rusia. Nuk mund të pajtohemi të na sjellin emigrantë në Komunën Karposh dhe t’u japin banesa, ata që thonë se komuna është ndotur dhe e mbipopulluar”, shkruan Jakimovski.

Ai më tej shkruan se Maqedonia duhet të pranojë emigrantë dhe refugjatë përderisa ka veprime ushtarake në rajon, siç ishte rasti i Bosnjës dhe rasti i Kosovës.

“Komuna e Karposhit nuk është e gatshme të pranojë 5 mijë emigrantë nga Siria dhe t’ua rrezikojë jetën qytetarëve të vendit. Pikërisht për këtë arsye e nënshkruaj iniciativën kundër ndërtimit të kampeve për refugjatët”, shkruan Jakimovski./Telegrafi/