Më mirë të vonohemi me afatin, por procesverbali të sillet dhe faktet t’i vërtetojmë saktë. Në opinion u krijua një ambient se KSHZ merr dhe jep mandate aty për aty, u shpreh Subhi Jakupi në vazhdimin e seancës në të cilën KSHZ diskuton në lidhje me ankesën e fundit të LSDM-së për një vendvotim në komunën e Tearcës në njësinë e gjashtë zgjedhore. Qëndrimi i këtillë i Jakupit ka të bëjë me faktin se gjatë hapjes së materialit zgjedhor, nuk është gjetur procesverbali.
Në fillim të seancës, Igor Milev përsëriti qëndrimin se votimi në këtë vendvotim duhet të prishet, sepse siç tha, në mënyrë joligjore është këputur një fletëvotim ndërsa për këtë, njërit prej vëzhguesve nuk i është mundësuar të mbajë shënim.
Silvana Boneva konsideron se kjo ankesë e LSDM-së është e pabazë sepse, siç tha, fletëvotimi që ka munguar në nisje të votimit, nuk është përdorur për të ashtuquajturin “tren bullgar”. Këtë konstatim ajo e bazon në faktin se fletëvotimi është gjetur më vonë gjatë numërimit të votave.