Me këmbë të operuar dhe me shoqërim të policisë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski u soll në Gjykatën Penale për rastin “Toplik”.

Për avokatin, Elenko Millanov sjellja e tillë e trupit gjykues ndaj klientit të tij Mile Janakieskit, është precedent, pasi siç thotë se ata kishin dorëzuar deri në gjykatë dokumentacion që Janakieski për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqitet në gjykatë.

“Në aspekt shëndetësor vlerësoj se ky është një precedent. Më shumë se 35 vite jam avokat dhe të sjellët dikush në gjykatë në këtë gjendje shëndetësore, me operacion të tillë, me mendim nga ekspert se çfarëdolloj dërgimi, lëvizje e të akuzuarit mund të vije deri te pasoja serioze në shëndetin e tij, me të vërtetë nuk do të doja ta komentoja sepse është diçka që s’ka ndodhur asnjëherë dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të mos ndodhe”, tha Millanov.

Janakieski është i dyshuari i parë në lëndën “Toplik” për shitjen e tokës shtetërore për ndërtimin e kompleksit “Qyteti i diellit” në Sopishte. Pas 5 viteve gjykim, sot përfundoi procedura e dëshmive. Trupi gjykues hodhi poshtë provat shtesë dhe dëshmitarët që mbrojtja kërkoi të paraqiten, me arsyetimin se asnjë nga provat nuk do të ndryshonte rrjedhën e rastit.

“Ne kemi dy ekspertiza gjeodezike që dallojnë prej njëra- tjetrës dhe tërësisht të kundërta, por gjykata nuk vendosi të bëjë super- ekspertizë nga institucione të pavarura, nga ekspert të pavarur si super- ekspertizë që të vërtetohet cila ekspertizë nga fusha e gjeodezisë është ne rregull e cila jo. Sa i përket pjesës ekonomike, vetëm mbrojtja kishte ekspertizë të cilët gjykata nuk e pranoi”, tha më tej Millanov.

Në seancën e fundit gjyqësore, gjykatësi Osman Shabani, kërkoi që Janakieski të sillej me shoqërim të policisë, sepse për shkak të mungesës së tij ishin anuluar disa seanca me radhë. Lënda është nga fundi. Më 9 shkurt është caktuar seanca për fjalët përmbyllëse të Prokurorisë, e më pas edhe të mbrojtjes. Përveç se në Toplik, Mile Janakieski është i akuzuar edhe në disa lëndë tjera, mes tjerash TNT, Titanik, Talir, Trajektorja dhe Shkallet spanjolle.